Yura Corporation dorëzon plan biznesi pranë autoriteteve shqiptare, kontratë një euro në Fier
Industria automotive, qoftë në procese të thjeshta, ashtu edhe komplekse, gjeneron punësim të konsiderueshëm. Vendet e rajonit janë të vetëdijshme për këtë dhe mbi të gjitha dominon Serbia, e cila u kthye në një vend kryesor për ngritjen e kësaj industrie. E favorizon shumë siguria politike, e kaluara e saj në këtë fushë por, mbi të gjitha, një sistem fiskal që në vitin 2009 e më tej ka qenë shumë nxitës për investitorët. Por duket se edhe për Shqipërinë po shfaqen në horizont disa mundësi për zhvillimin e kësaj industrie automotive për procese elementare. Në kushtet kur sot janë dy kompani të cilat kanë gjeneruar punësim të dukshëm dhe kanë plane zhvillimi, si PSZ Albania dhe Forschner Albania, të dyja gjermane, në treg është shfaqur interes edhe nga kompani të tjera.
Burime pranë Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve thanë për “Monitor” se janë të paktën dy kompani të huaja që po tentojnë të hyjnë në tregun shqiptar që kategorizohen në këtë lloj aktiviteti. E ndërsa për njërën prej tyre, të dhënat janë konfidenciale, sepse bisedimet janë në fillim, për kompaninë e dytë, fazat kanë avancuar, madje duke caktuar paraprakisht edhe pjesën ku do të funksionojë fabrika. Bëhet fjalë për kompaninë koreanojugore Yura Corporation, e cila ka paraqitur një plan biznesi, duke premtuar një investim të konsiderueshëm, si dhe punësim në nivele të kënaqshme të paktën si fillim. Burimet pranë AIDA-s thanë se kompania nuk është e re, ajo operon në shumë vende të botës, duke nisur nga Azia, Afrika dhe Europa. Konkretisht fabrika të saj funksionojnë në Kinë, Kore, Marok, Vietnam, Tunizi, Çeki, Sllovaki, por edhe në Serbi dhe tek kjo e fundit janë në funksion më shumë se një fabrikë.
Kontratë 1 euro për Yura Corporation
Kompania koreanojugore duket se e ka të qartë orientimin që do të ketë biznesi i saj në Shqipëri. Do të prodhojë zgjidhje kabllore për modele të ndryshme të makinave të markave Hyundai, KIA apo Daimler. Duke pasur parasysh investimin, por edhe numrin e vendeve të reja të punës të gjeneruara, kompania ka qenë në negociata për të përfituar nga opsioni i kontratës me 1 euro për 20 vjet, një praktikë e njohur kjo për investimet jo vetëm të kësaj natyre. Kompania ka kërkuar një mjedis që të përmbushë kërkesat e saj për shtrirjen që duhet të kenë linjat e prodhimit dhe opsioni që është në diskutim është baza e tubave, një pronë e kompanisë shtetërore të prodhimit dhe nxjerrjes së naftës Albpetrol që ndodhet në dalje të Fierit kur shkon për në Vlorë.
Katër fabrika në Serbi, si e “joshi” me sistemin e taksave
Yura Corporation në vitin 2009 do të “trokiste” në Serbi për zgjerimin e saj, duke qenë se në Sllovaki kishte tashmë 5 fabrika. Në mars të 2010-s, pas një studimi tregu dhe mbledhje të dhënash, kompania do të vendosej në Serbi për të nisur biznesin. Gjithçka do të përfundonte në harkun e pak muajve. Një muaj e gjysmë, kompanisë do t’i duhej të blinte pronën, 2 muaj ta rikonstruktonte atë dhe në fund të qershorit, të niste prodhimin masiv. Duke parë leverdinë e zgjerimit të këtij aktiviteti, Serbia nuk u kursye në politika dhe në atë kohë, Ministria e Ekonomisë dhe agjencia e dedikuar për investitorët do të ofronte një subvencion kombëtar në masën 4.5 milionë euro, që do të përdorej në masën 4500 euro që i shkonin kompanisë për çdo person të punësuar. Në total, 1 mijë të punësuar vetëm në kompaninë e saj në Raca, ku privatizoi ish- fabrikën e Zastava Elektro dhe investoi 3 milionë euro.
Nga ana tjetër, vetë qeveria do të siguronte trajnimin e personave që punësoheshin me të paktën 700 mijë euro. Fiks një vit më pas, në qershor 2011, Yura Corporation do të hapte fabrikën e dytë në Nish. Në atë kohë, Ministria e Ekonomisë dhe Zhvillimit Rajonal në Serbi do të deklaronte se vlera e investimit ishte 15 milionë dollarë. Kompania do të punësonte 1500 punëtorë dhe qeveria kishte parashikuar 10.5 milionë euro si fond subvencionimi, ku për çdo vend të ri pune, kompania merr pas 7 mijë euro nga buxheti i shtetit. Në atë kohë, kreu i Yuras në Serbi, De Jel Om, do të shprehej se Yura në Nish do të ishte qendra e kompanisë në të gjithë Europën. Dhe kjo u konkretizua me një fabrikë të dytë në Nish pak kohë më pas.
Në vitin 2016, kompania do të hapte një fabrikë tjetër në Leskovac, ku prodhon kabllo për makina elektrike. Në po këtë qytet, sot operojnë edhe kompani të tjera që kanë të njëjtin profil, siç është grekja Autostop, si dhe britanikja Delphi. Në tetor 2017, kryebashkiaku i Lsekovacit, bëri të ditur se kompania Yura po planifikon të hapë edhe dy fabrika të tjera në këtë zonë, me një investim total prej 35 milionë eurosh. Pjesa prej 20 milionë eurosh pitet të investohet në një fabrikë të re që përfundon sipas parashikimeve në maj të këtij viti, plus 15 milionë euro në pjesën tjetër. Të dyja fabrikat pritet të kenë procese më komplekse dhe në tërësi do të punësojnë edhe 1000 punonjës të rinj. Yura Corporation ishte eksportuesi i 14 më i madh në Serbi sipas rezultateve të 9 muajve të 2017-s, me shitje që kalonin 105 milionë euro sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave në Serbi./Monitor/a.m.