“Marrëveshja e 17 majit u bë për zgjedhjet, marrëveshje për të mbyllur dosjet nuk bëjmë dot. Ku është problemi këtu? Atëherë kishim zgjedhjet duhet të bënim marrëveshje. Këtu vetëm një problem ka, zbatimi i Reformës në Drejtësi dhe dosjet. Nuk bëjmë marrëveshje për këto”.
Ky ka qenë mesazhi i Edi Ramës për kundërshtarin e tij politik Lulzim Basha, në prag të protestës së opozitës, duke i mbyllur dyert kështu cdo tentative për një marrëveshje të re pas asaj parazgjedhore të 18 majit 2017. I ftuar te “5 pyetjet nga Babaramo” në Report Tv, Rama ka komentuar edhe negociatat Bushati-Kotzias, ku u shpreh se vendet po shkojnë drejt zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, ku kryefjalë mbetet shfuqimi i Ligjit të Luftës nga ana e Athinës.
“Ka dakordësi që nga Ligji absurd i Luftës deri tek çështje që kanë të bëjnë me jetësimin maksimal të shqiptarëve që jetojnë në Greqi, lidhur me procedura që kanë qenë pengesë e rëndë për ta. Do kalojë në procedurat ligjore të shtetit fqinj dhe do jetë një dokument që do t’i mbetet historisë dhe jo një ligj në fuqi që na ka penguar të shkruajmë historinë e re”, u shpreh Rama.
Rama tha gjithashtu se gjatë samitit të Davos në Zvicër do takohet me kryeministrin Aleksis Tsipras. “Do të takohem në ditët në vijim me kryeministrin Tsipras, pasi do jemi në Davos. Mbetet një fazë tjetër e saktësimit të elementëve që kanë të bëjnë me marrëveshjen e arritur në linja të gjëra me pas detajohet në dokumente që do të marrin vlerë qoftë ligjore qoftë edhe përsa i përket asaj që thashë të një platforme të re të partneritetit strategjik“. /ReportTV/a.m.