Çdo qytetar që kërkon një punë e ka më të lehtë të gjejë një vend pune, falë konceptimit të funksionimit të Zyrës së Punës.
Nëndrejtoresha e Shërbimit Kombëtar të Punësimit Brikena Nallbani, në një intervistë për ATSH-në thotë se reforma synon të ofrojë më pranë aktorët që operojnë në tregun e punës, si shkollat profesionale, qendrat e formimit profesional dhe zyrat e punës, me synimin final punësimin si një nga shtyllat kryesore të sistemit të mirëqenies sociale.
Kjo reformë, thotë ajo, synon modernizimin e shërbimeve të ofruara, rikonceptimin e infrastrukturës, duke përshtatur ambientet për akses ndaj të gjitha grupeve, kryesisht ata persona me aftësi të kufizuara.
“Tashmë kemi një model unik të ofrimit të shërbimeve me tre nivele, informacion, punësim dhe këshillim individual. Jane ristrukturuar deri më tani 21 zyra punësimi, ndërsa procesi vijon me riorganizimin e zyrave të tjera në frymën e zhvillimeve të reformës territoriale”, thotë Nallbani.
Një hap cilësor në modernizimin e Shërbimit Kombëtar të Punësimit si dhe ne mënyrën e ofrimit të shërbimeve, sipas saj, përbën vendosja në funksion të plotë e sistemit informatik të shërbimeve të punësimit.
“Sistemi përmban një informacion të plotë për të gjithë punëkërkuesit që marrin shërbime, vendet e lira të cilat deklarohen pranë zyrave tona informacion mbi punëdhënës që operojnë në vend, si dhe një sistem të profilizimit të tyre në përputhje me shkallën e gatishmërisë për punë”, deklaron nëndrejtoresha e SHKP-së. Nallbani bën të ditur se tashmë është e aksesueshme për punëkërkuesit edhe faqja www.puna.gov.al
“Shërbimi Kombëtar i Punësimit është pjesë e reformës së deregulimit duke synuar që një pjesë të shërbimeve ndaj punëkërkuesve dhe punëdhënësve t’i ofrojë online, si dhe duke gjeneruar vetë punonjësit e Zyrave të Punësimit një pjesë të dokumentacionit me qëllim shkurtimin e kohës së klienteve në sportelet tona”, deklaron Nallbani.
Mbi 83 mijë punëkërkues të papunë në fund të vitit 2017
Pranë zyrave të punësimit në shkalle vendi, sipas Nallbanit, janë të regjistruar mbi 83 mijë punëkërkues të papunë në fund të vitit 2017.
Nga këta sqaron ajo, gra e vajza punëkërkuese të papuna janë mbi 44 mijë ose 53%. Punë kërkueset e papuna femra janë kryesisht të moshave mbi 40 vjeç dhe me arsim deri në 9 vjeçar. Punëkërkues të papunë përfitues nga skemat e mbështetjes me të ardhura, (ndihmë ekonomike) janë 39 mijë ose 47%,
Kjo shifër është rreth 20 mijë më pak se fillimi i një vit më parë, rënie e cila ka ardhur si rezultat i rishikimit të kritereve të përfitimit të ndihmës ekonomike.
Të papunë afatgjatë (që kanë mbi një vit të papunë) janë 42 594 ose rreth 51% e totalit. Përqindja që zënë të papunët afatgjatë ndaj totalit të papunëve të regjistruar, është një nga treguesit me të rëndësishëm të tregut të punës dhe tregon vështirësinë për punësim të kësaj kategorie.
Në zyrat e punësimit janë shpallur mesatarisht 40 mijë vende të lira pune
Nëndrejtoresha e Shërbimit Kombëtar të Punësimit thotë se në zyrat e punësimit shpallen mesatarisht rreth 35 mijë deri në 40 mijë vende te lira pune në vit. Nga të dhënat na rezulton se gjatë vitit 2017 janë shpallur rreth 40 mijë vende të lira pune në të gjithë sistemin e zyrave të punësimit në vend.
Vendet e lira të punës, shpjegon ajo, ofrohen nga të gjitha ndërmarrjet. Sipas Nallbanit, në vitin që lamë pas janë realizuar mbi 68 mijë takime me kompani që operojnë në vend, të cilat kanë ofruar rreth 40 mijë vende pune në degët e industrisë përpunuese, shërbime, turizmi, ndërmarrjet e fushës së ndërtimit etj.
Për vitin 2017, u realizuan mbi 23 mijë ndërmjetësime nga zyrat e punës
Gjatë vitit 2017 në të gjithë vendin, deklaron Nallbani, nga zyrat e punës janë kryer 23 136 ndërmjetësime. Nallbani shpjegon dhe hapat që ndjek një punëkërkues në një zyrë pune.
Së pari pranë zyrës së punësimit një punëkërkues mund të informohet mbi tregun kombëtar dhe lokal të punës, për vendet e lira të punës, mundësitë e formimit dhe aftësimit profesional, për shërbimet dhe programet e ofruara nga zyrat e punës.
Për pjesëmarrje në programet aktive të nxitjes së punësimit dhe përfitim nga mbështetja me të ardhura gjatë periudhës së papunësisë. Të drejtat për të përfituar nga këto programe dhe procedurat e aplikimit si dhe mund të marrë informacion për legjislacionin e punës etj.
Më tej, ai mund këshillohet dhe orientohet për punë dhe profesion.
Pranë zyrave tona një punëkërkues mund të marrë këshillim për të rritur aftësitë e tij për kërkimin e një vendi pune e për ta mbajtur atë. Po ashtu mund mund të marrë këshillim se ]farë profesioni të zgjedhë me qëllim identifikimin e aftësive të munguara dhe ofrimin e mjeteve të përshtatshme për plotësimin e tyre”, thotë Nallbani.
Përveç informacionit dhe këshillimit pranë zyrës së punës, çdo punëkërkuesi i ofrohet edhe shërbimi i ndërmjetësimit për punësim.
“Ne tashmë ofrojmë shërbime ndërmjetësimi për punëkërkuesin, formimi, aftësitë dhe cilësitë e të cilit përputhen me kërkesat e punëdhënësit për plotësimin e vendit punës. Po ashtu ofrojmë shërbime ndërmjetësimi për punëdhënësin për rekrutimin e stafit për plotësimin e vendeve të lira të punës me kandidatët më të përshtatshëm”, deklaroi nëndrejtoresha e SHKP-së.
Punëdhënësi klienti tjetër i rëndësishëm i Zyrës së Punësimit
Punëdhënësi është një tjetër klient i rëndësishëm i Zyrës së Punësimit, ndaj të cilit ofrohen shërbime profesionale rekrutimi të fuqisë punëtore, plotësim të vendeve të lira të punës, mbështetje për punësim (programe aktive), dhe informacion mbi tregun e punës dhe legjislacionin në fuqi etj.
Çdo punëdhënës, sipas Nallbanit, mund të drejtohet personalisht në zyrat e punës ose nëpërmjet sistemit online për të deklaruar vendet e lira të punës. Por edhe zyrat e punës organizojnë kalendaret e vizitave në subjekte ku shikojnë konkretisht se çfarë aktiviteti zhvillohet, çfarë mundësish ka për hapje të vendeve të reja të punës dhe çfarë aftësish kërkon vendi i lirë i punës, etj. /ATSH/a.m.