Prej muajsh Këshilli i Lartë i Drejtësisë po vepron me kompetenca të kufizuara derisa të ngrihen organet e reja, siç është edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Por përsa kohë KLD nuk mund të emërojë gjyqtarë, kriza ka prekur të gjitha gjykatat e Apelit, tek të cilat ka mungesa me gjyqtarë.
Por KLD ka mundësi të ndërhyjë në këtë situatë vetëm duke deleguar trupa gjyqësore nga njëra gjykatë në tjetrën.
Rezulton se për shkak të konsumimit të trupave gjyqësore në Apel, delegimi është forma më e shpeshtë e ndërhyrjeve në gjykata duke sjellë gjatë këtij viti edhe fenomenin më të ri, që është gjyqtari shëtitës.
Ky fenomen ka prekur të gjitha gjykatat e Apelit, ku përmes delegimit janë kthyer në gjyqtarë shëtitës , trupa gjyqtarësh që gjykojnë në Shkodër dhe anasjelltas, ose edhe në Tiranë. Me gjyqtarë shëtitës pra, të deleguar, po gjykohen edhe dosje të forta në Apelin e Krimeve të Rënda sikurse është edhe dosja e Dritan Dajtit.
Ndërkohë dy gjykata, ajo e Lushnjes dhe e Kavajës kanë ngelur me dy dhe tre gjyqtarë.
Nga ana tjetër gjykata që ka nevojë më shumë për gjyqtarë për shkak të stokut është gjykata e Apelit Administrativ që shqyrton në rang vendi si shkallë e dytë.
Edhe në këtë gjykatë pritet të delegohen 10 gjyqtarë me vendim të KLD që do të ndikonin në zhbllokimin e dosjeve e për pasojë edhe në gjykimin sa më shpejtë në dobi të qytetarëve.
Situata është rënduar akoma më tej edhe nga ndërhyrja e Gjykates Kushtetuese që me shfuqizimin e disa neneve në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve i ka lidhur gjithashtu duart organit të vetëm të qeverisjes së gjyqësorit.
Pas shfuqizimit të neneve 101 dhe 102, KLD nuk mund të veprojë me masa administrative apo vërejtje për gjyqtarët që abuzojnë me detyrën.
Sikurse shfuqizimi i nenit 152 i krijon ngërç KLD-së në vendime, me përjashtim të rasteve kur gjyqtari është i arrestuar apo është marrë i pandehur./TCh/a.m.