Ministri i brendshëm Fatmir Xhafaj ka folur për objektivat e ministrisë që drejton gjatë vitit 2018. Gjatë intervistës në emisionin “Kapital”, Xhafaj ka thënë se viti 2017 ishte një ndër vitet më të suksesshme kryesisht në luftën kundër kanabisit.
Aleksandër Furxhi: Një studim i fundit tregon se Shqipëria është një nga vendet e sigurta dhe kriminaliteti është i ulët. Ky është vlerësim për Policinë e Shtetit dhe punën tuaj. Por publiku është i ndjeshëm ndaj vrasjeve dhe krimeve të rënda, natyre njerëzore e mban mend një ngjarje kriminale më mirë. Zoti Ministër, a mund të bëni një koment për këtë?
Ministri Xhafaj: Në vlerësim tim dhe jo vetëm, në vlerësimin e opinionit publik, edhe në atë të organizmave ndërkombëtare që merren me këtë çështje, Shqipëria është një vend i sigurt. E sigurt në kuptimin e jetës, punës, e të bërit biznes. Natyrisht nuk është vend pa probleme. Por raporte të tilla lidhur me indeksin e krimit janë vlerësuese, megjithatë nuk janë të vetmet. Në të gjitha sondazhet, Policia e Shtetit në perceptimin qytetar konsiderohet një ndër agjencitë më të besueshme (më shumë se Gjykatat e Prokuroritë). Dhe këto nuk janë vlerësime të MB, por të Bashkimit Europian.
Ju përmendët ndjeshmërinë qytetare. Natyrisht edhe politika për interesa të ditës përmend një ngjarje negative më shumë. Por ka diferencë të madhe mes qasjes së politikës dhe qytetarëve. Për qytetarët nuk është çështje vetëm vrasja në vetvete, por jeta e përditshme. Lidhur me perceptimin e ndryshëm të politikës dhe të qytetarëve, po ju sjell një sondazh të publikuar të bërë në Elbasan, kryer me asistencën e OSBE. Sipas 78% të të intervistuarve në qendër të qytetit ka siguri ditën, ndërsa sipas 55% natën.
Flitet për vrasjet. Por sipas statistikave 2017-a ka treguesit më të mirë të kriminalitetit të viteve të fundit. Në 27 vite është numri më i ulët i vrasjeve, i vjedhjeve me dhunë, apo numri i aksidenteve me pasojë vdekjen. Shifrat janë të ftohta. Mund të kisha dalë në fillim të Janarit e të thoja “Sukses!”. Po dhe një vrasje e shoh si problem për mua.
Aleksandër Furxhi: Si lindi ideja e vetingut në radhë e policisë?
Ministri Xhafaj: Vetingu në Polici ka qenë një ide e formësuar që në kohën kur drejtoja Reformën në Drejtësi. Më pas vijoi njohja me problemet e brendshme të Policisë së Shtetit dhe nevoja për ta përforcuar si agjenci ligjzbatuese.
Aleksandër Furxhi: Nuk është dëgjuar më parë veting kaq i thellë në Policinë e Shtetit. Na shkruajnë në “Kapital” se po u bë seriozisht, nuk do mbetej këmbë njeriu në Policinë e Shtetit…
Ministri Xhafaj: Përtej historive të veçanta apo të mediatizuara për ‘x’ person apo grupe personash, në Policinë e Shtetit ka individë që përmbushin standarde integriteti. Ne i hymë një procesi të lidhur me pastrimin e radhëve të gjyqësorit nga elementë të inkriminuar e të korruptuar, pa aftësitë e nevojshme profesionale. E kur flasim për drejtësi penale janë të rëndësishme Prokuroritë dhe Gjykatat. Por pa Policinë, organ ekzekutiv, është e pamundur drejtësia.
Shumë shpejt do shohim rezultate konkrete. Të dhëna të shumta tregojnë se në radhët e Policisë së Shtetit ka edhe policë të korruptuar e po aq të paaftë apo që kanë përfituar një karrierë të padrejtë në raport me ligjin. Vetingu do kryhet në radhët e Policisë së Shtetit, Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave – SHÇBA, si dhe Gardës.
Aleksandër Furxhi: Të korruptuarit i keni identifikuar, keni listë konkrete?
Ministri Xhafaj: Absolutisht. Kemi bërë një analizë të plotë të fenomenit. Kemi bërë analiza në vazhdimësi. Ka dhe sinjalizime nga publiku. Ne menduam të ndërmarrim një proces të tillë për të mbështetur pjesën e punonjësve të Policisë së Shtetit që përmbushin kriteret profesionale dhe për të pastruar Policinë nga ata që uk i përmbushin këto standarde
Vetingu në radhët e Policisë së Shtetit maksimumi mund të kapë një hark kohor të dy viteve. Në fazën e parë Vetingu do kryhet për 300 oficerë, drejtues të gradave më të larta. Ai do përfshijë verifikimin e korrupsionit (vërtetimi i pasurisë), të lidhjeve kriminale dhe aftësive profesionale. Nuk mund të jesh edhe polic, edhe të kesh pasuri të dukshme apo të padukshme që tejkalojnë disafish rrogën e policit.
Projekti do kalojë në Këshillin e Ministrave.
Dhe në fund të muajit mund të kalojë në Kuvend. Në formën e ligjit, absolutisht.
Aleksandër Furxhi: Rindërtimi i imazhit të Policisë së Shtetit është sfidë. Me ç’kemi dëgjuar, që ka elementë të korruptuar, ku e mbështesni ju besimin për të rindërtuar Policinë e Shtetit?
Ministri Xhafaj: Shpeshherë themi “Këta janë policët, drejtuesit, këta janë politikanët”. Po këta nuk janë shqiptarët! Është shumë e rëndësishme të ndërtojmë një proces të tillë që të mos vlerësohet i korruptuari apo ai që nuk përmbush standardet.
Sa më mirë të bëhet ky proces, aq më shumë djem e vajza do jenë mundësinë të vijnë në organizatën e Policisë së Shtetit, aq më shumë do të vijnë prurje të reja. Çka do sjellë një agjenci më korrekte ligjzbatuese dhe në shërbim të qytetarit. Besoj se ky proces do ndihmojë shumë integritetin brenda Policisë së Shtetit, dhe do rrisë shumë besueshmërinë publike ndaj Policisë së Shtetit.
Në anën tjetër, ne jemi përfshirë në disa reforma në Policinë e Shtetit. Proces i rëndësishëm është ristrukturimi në Policinë Kriminale, dhe ai në Policitë Vendore. Synojmë më pak policë në zyra, e më shumë në terren. Çdo familje do dijë cili është punonjësi i policisë që përgjigjet për një territor dhe sigurinë e tij. Punonjësit e Policisë së Shtetit do jenë llogaridhënës për gjendjen e kriminalitetit në territor. Do jenë drejtuesit që do jenë përgjegjës. Sot kjo është një lloj qasjeje e aplikuar nga shumë vend europiane me shumë sukses.
Pra vetingu, ristrukturimi i Policisë së Shtetit dhe një qasje e re komunikimi e Policisë me qytetarin, shto këtu rezultate konkrete që do kemi në luftën kundër krimit, besojmë se do japin fryte.
Aleksandër Furxhi: Ka disa dosje për të cilat qytetarë presin rezultate konkrete.
Ministri Xhafaj: Viti 2017 renditet ndër më të mirët në vitet e fundit, për disa çështje, si: lufta kundër kultivimit të kanabisit, të dhënat e krimeve kundër pronës dhe jetës, etj. Natyrisht dhe unë personalisht, në funksionin e Ministrit të Brendshëm, jam i ndërgjegjshëm që mbetet akoma shumë për të bërë, si: lufta ndaj grupeve kriminale, korrupsioni i zyrtarëve të shtetit, përforcimi i rezultateve pozitive në luftën antikanabis me synim heqjen përfundimtare të Shqipërisë nga lista e vendeve kultivuese, dhe parandalim i krimit në moshat e reja.
Aleksandër Furxhi: Z.ministër, si e shpjegoni ju faktin që drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako qëndroi në detyrë kur segmente jo të parëndësishme të Policisë së Shtetit ishin njollosur me hashashin etj?
Ministri Xhafaj: Së pari unë nuk shkova në Policinë e Shtetit për të zëvendësuar një drejtor me një tjetër – siç ndodhi në pjesën e parë të mandatit tim që, sipas meje, ishte një lëvizje e drejtë dhe minimale për atë kohë. Me nisjen e mandatit të ri duhet të kisha një analizë më të plotë, për të kuptuar problematikat dhe zgjidhjet e nevojshme sipas Kushtetutës dhe ligjit.
Aleksandër Furxhi: Në media flitej për përplasje mes Ramës dhe Xhafaj.
Ministri Xhafaj: Nuk besoj të ketë pasur diçka të tillë. Por kur kam dërguar propozimin për shkarkimin e Çakos, qeveria e miratoi. Në këto momente, për shkak të disa prioriteteve kemi nevojë për më shumë dinamizëm, kjo është një nga arsyet e kësaj lëvizjeje në radhët e drejtuesve të Policisë së Shtetit. Në momentin e përshtatshëm, drejtori i ri që do të vijë do të vlerësojë nevojën e lëvizjeve të reja.
Aleksandër Furxhi: Ka qarkulluar në media një raport i Shërbimit Informativ sipas të cilit 128 punonjës të policisë paskëshin qenë të lidhur me krimin e të tjera. Çfarë bëhet me të dhënat e këtij raporti? A është një raport me të cilin ju jeni marrë dhe e keni pasur parasysh raportin e Shërbimit Informativ Shtetëror. Kështu qarkullon në shtyp.
Ministri Xhafaj: Unë disponoj të gjitha raportet që Shërbimi Informativ Kombëtar ka hartuar dhe ka dërguar pranë meje si ministër që nga dita e parë që unë kam qenë ministër i Brendshëm. Për hir të së vërtetës gjatë periudhës që kam punuar me ish-drejtorin, z.Visho Ajazi kam patur një marrëdhënie shumë korrekte institucionale dhe kemi punuar ngushtësisht bashkë në përputhje me funksionet tona kushtetuese dhe ligjore, duke ndërtuar shpeshherë edhe operacione të përbashkëta, që besoj se kanë qenë të suksesshme ose që janë ende në proces. Natyrisht kemi patur dhe shkëmbim intensiv informacionesh për çështje që kanë të bëjnë edhe me problematika që mund të ketë pasur edhe brenda agjencive tona respektive.
Të njëjtën marrëdhënie kam pasur dhe kam ndërtuar edhe me zëvendësin e tij që është në detyrë, me z.Bendo, me të cilin jemi duke punuar ngushtësisht. Në vlerësimin tim është një person serioz, korrekt. Jemi duke punuar ngushtësisht dhe me partnerët ndërkombëtarë për të bërë gjëra të mira në funksionet respektive.
Aleksandër Furxhi: Po raporti që ke?
Ministri Xhafaj: Ndërkohë më duhet të them që kam caktuar një grup pune që po studion të gjitha llojet e raporteve, që Shërbimi dhe jo vetëm Shërbimi Informativ, por dhe agjenci të tjera, përfshi dhe ato çfarë mund të kenë ardhur dhe nga qytetarë të ndryshëm, për t’i identifikuar, për t’i evidentuar dhe ato do të jenë pjesë e dosjeve të çdo punonjësi policie në procesin e Vettingut. Raste dukshëm që rezultojnë me prova bindëse për punonjës të caktuar policie, për implikime të tyre, unë nuk kam hezituar dhe nuk do të hezitojë asnjëherë për të ushtruar brenda kufijve të mi ligjor të gjithë presionin e nevojshëm, autoritetin e duhur për të reaguar përmes hetimit administrativ dhe hetimit penal. Mjafton t’ju kujtoj që gjatë kësaj periudhe të shkurtër është ndoshta numri më i madh i masave disiplinore të marra ndonjëherë në radhët e Policisë së Shtetit; dhe të çuara njëkohësisht në përgjegjësi penale.
Aleksandër Furxhi: Opozita vijon sulmin ne emrin tuaj personal, sulmet personale; nuk është hera e parë do të thoni ju që një ministër i Brendshëm sulmohet edhe personalisht si i lidhur me krimin, me drogën etj. Si ndikon në punën tuaj, shkurtimisht kjo fushatë, këto lloj sulmesh? A arrijnë t’ju shkëpusin vëmendjen?
Ministri Xhafaj: Gjë normale, puna e ministrit të Brendshëm dhe Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit të jenë në vëmendjen e opinionit publik dhe për më tepër të opozitës. Deri këtu nuk ka asnjë gjë anormale. Pastaj pjesa që ka të bëjë me sulmet e motivuara politikisht apo me përpjekjen për të shpifur apo për të hedhur baltë, kjo është një gjë tjetër. Dhe kjo është një gjë që të jem i sinqertë nuk më pengon fare në punën time, por përkundrazi më bën akoma më shumë të motivuar dhe shumë më të përgjegjshëm në detyrën time. Natyrisht që i përbuz dhe nuk kam asnjë lloj ndjesie për akuza të kësaj natyre dhe për më tepër për individë të tillë. Unë kam fatin që kam një kohë të gjatë në Parlament dhe kam parë e kam dëgjuar shumë gjëra. Për fat të mirë jam shumë i lumtur që nuk bëj pjesë në këtë kategori njerëzish që e kanë përdorur gjuhën pa doganë. Kam parë aty njerëz që kanë pështyrë dhe kanë lëpirë brenda ditës jo më në vite për atë çfarë kanë thënë dhe kanë ngritur akuza… në vite e vite të tëra kjo histori. Nga ana tjetër, me thënë të drejtën kur e shoh këtë tek disa njerëz, fillimisht kam pasur njëfarë impresioni vitet e para. Tashti kur shikoj se cilët janë dhe çfarë përfaqësojnë në vetvete, me thënë të drejtën nuk kam asnjë lloj ndjesie dhe dua të shtoj tashti për më tepër, që jam në funksionin e ministrit të Brendshëm dhe i njoh pak më mirë ata dhe çfarë përfaqësojnë në vetvete, shpeshherë ndiej një lloj kështu, një lloj përçmimi.
Aleksandër Furxhi: Në muajin shtator ju u përgjigjët, u duk në mënyrë përfundimtare, kur mbajtët fjalën si ministër sapo kishit marrë detyrën, për çështjen e sulmeve ndaj familjes suaj, ndaj vëllait tuaj. Megjithatë opozita edhe këto ditë nuk ka hequr dorë, para dy ditësh, kryetari i PD Basha, përsëriti në një takim me militantët e PD, përsëri ka thënë ‘Edi Rama, Fatmir Xhafa, këta ende zëvendësojnë klanin e Habilajt me klanin e Agron Xhafajt?
Ministri Xhafaj: Z. Basha duhet të përpiqet të bëhet serioz në atë funksion të rëndësishëm që ka marrë përsipër të bëjë. E pashë… dhe ajo që do të duhej të bënte një ligjvënës, një qytetar, nëse ka fakte, prova, cilatdo qofshin ato, duhet t’i adresojë për t’i dhënë gjithkujt përgjegjësinë përkatëse. Natyrisht akuza të tilla janë tërësisht të motivuara politikisht dhe kanë vetëm një qëllim: të cenojnë emrin, figurën dhe atë çfarë unë bëj përditë, por që është një gjë që nuk ka asnjë ndikim në jetën dhe në punën time të përditshme. Natyrisht të artikuluara pikërisht edhe nga z.Basha janë një arsye më shumë për të mos i kushtuar vëmendjen më të vogël për disa arsye.
Dhe me thënë të drejtën unë jam ndër të paktët zyrtarë dhe ligjvënëse në atë parlament që nuk kam munguar në asnjë rast t’i përgjigjem kur ka pasur, aq pak sa ka pasur, akuzave ndaj emrit dhe punës sime. Por unë nuk kërkoj ta ndaj dhe nuk e ndaj atë çfarë bëj çdo ditë dhe integritetin tim moral, përkushtimin tim dhe angazhimin tim ndaj punës, me askënd tjetër.
Aleksandër Furxhi: Z.Ministër, folët pak më përpara për luftën kundër kanabisit dhe rezultatet e vitit 2017, dhe ju thatë që mund të quhet një vit i suksesshëm në këtë aspekt. Megjithatë, me sa kuptohet, në Shqipëri ka ende sasi të depozituara, të fshehura, që kapen herë pas here, sa në breg të detit, sa nëpër skafe, apo kur mbërrijnë në Itali, apo në Greqi ndoshta. Ka ende shumë me sa duket kanabis në Shqipëri? Si ju rezulton nga informacionet që keni, sigurisht për shkak të detyrës?
Ministri Xhafaj: Kjo historia e kanabisit është trajtuar gjerë e gjatë, edhe me të drejtë, në media, sepse realisht ka qenë një shqetësim. Ka qenë një shqetësim që nuk është shqetësim i një viti, ka të paktën 25 vjet që mbillet kanabis. Ka pasur dhe ka në këtë vend histori të shëmtuara lidhur me këtë fenomen. Mjaft të kujtoj periudhën kur kultivimi i kanabisit në zona të tilla si Lazarati apo Dukagjini në vitet kur PD ishte në pushtet, ishte një gjë e ligjëruar. Kanabisi ishte kthyer në një institucion që mbrohej nga shteti.
Aleksandër Furxhi: Kjo tashmë i takon historisë, le të flasim për aktualitetin…
Ministri Xhafaj: Kurse në këto 4 vjet… pa dyshim, por nëse flasim për aktualitetin, viti 2017 shënoi ndarjen përfundimtare nga ky fenomen. Dhe kemi rezultatet më të ulëta në 27 vjet në kultivimin e kanabisit. Janë kaq minimale saqë janë të papërfillshme në historinë 25-vjeçare të këtij fenomeni në vendin tonë. Dhe po them sot që janë të papërfillshme me historinë apo me shembujt të kultivimit të kanabisit që ka në rajon dhe në Europë.
Aleksandër Furxhi: Këto sasitë që kapen herë pas herë dhe që i shohim edhe me pamje, të kapura në Itali, nuk janë të vogla z.Ministër!
Ministri Xhafaj: Përsëri po them, që janë ndër sasitë më të vogla të kapura në vite në Itali gjithashtu. Ato që janë aktualisht. Por edhe ne vetë këtu kemi kapur sasi të konsiderueshme, që natyrisht lidhen me përmasat që mori ky fenomen gjatë vitit 2016. Dhe unë besoj që edhe njëfarë kohe ne do të vazhdojmë ta dëgjojmë këtë histori të kapjes së sasive të caktuara ta kanabisit, për shkak se mund të ketë sasi të depozituara.
Por besoj që 2018-ta do të jetë viti i ndarjes gjithashtu, do ta konsolidojë këtë arritje të 2017-ës dhe do të jetë viti i ndarjes përfundimtare me këtë fenomen të shëmtuar.
Problemi më i madh lidhet me faktin se në këtë proces janë të implikuar fermerët, kishim toka të tëra ku fshatarët në tokët e tyre drejtpërdrejt apo të dhëna në përdorim grupeve të caktuara kriminale, ishin të destinuara në funksion të këtij aktiviteti kriminal dhe ishin larguar nga kulturat bujqësore. Kjo ishte një çështje shumë e dëmshme edhe në këtë aspekt. Aspekti tjetër i rëndësishëm ishte fakti që tek shumë të rinj krijoi idenë e mundësisë për të fituar lehtë, për t’u pasuruar lehtë në jetë dhe shpesh herë të rinjtë u bënë pjesë e grupeve të caktuara kriminale për t’u përfshirë në këtë lloj aktiviteti.
Ndarja me këtë fenomen është një pikë kthese, një ndryshim shumë i rëndësishëm edhe në aspektin social që krijon kjo gjë dhe besoj që kemi bërë një gjë të madhe. Kur e thamë këtë në mars të 2017 shumë pak njerëz e besonin që do të ndodhte kjo. Jam shumë i sigurt, ashtu siç ndodhi edhe për reformën në drejtësi. Sot kemi një realitet tjetër. Një realitet që e pranojnë jo vetëm qytetarët shqiptar atje ku jetojnë dhe punojnë, por e pranojnë edhe partnerët ndërkombëtar të cilët e kanë asistuar dhe monitoruar rreptësisht këtë proces. Është kjo arsyeja që vetë Ministri i Brendshëm italian në një letër të përbashkët që i kemi dërguar para pak kohësh komisionerëve të Bashkimit Europian ka çertifikuar këtë rezultat shumë pozitiv të vitit 2017.
Aleksandër Furxhi: Forca e ligjit për goditjen e grupeve kriminale është gjithashtu një krijesa e juaj Z. Xhafaj. Cilat janë shkurtimisht në mënyrë telegrafike rezultatet e operacionit deri tani? Përpara se t’iu pyes për rekrutimin e forcave të Task Forcës që keni caktuar posaçërisht që të merren me këtë operacion në mos gaboj.
Ministri Xhafaj: Po i dëgjoj insertet e tuaja dhe me thënë të drejtën, pashë disa përsëritje dhe po mendoja. Këtyre për të bërë dy inserte, iu është dashur aq orë edhe përsëri kanë gabuar, pasi i kanë përsëritur nga dy-tre herë. Ndërsa ju për dy muaj kërkoni që ne të bëjmë atë që mund të mos jetë bërë për vite të tëra, ose për të kryqëzuar, nën forcën e ligjit dhe në provën e nevojshme grupe kriminale që nuk besoj se janë më të lehta se sa insertet që bëni ju.
Qeveria ku unë bëj pjesë ka miratuar një plan veprimi për luftën ndaj krimit të organizuar për të adresuar këtë fenomen dhe të fokusuar tek një operacion të quajtur Forca e Ligjit e cila ka në fokus të tij ka goditjen, identifikimin dhe zbulimin e grupeve kriminale dhe ajo që është shumë e rëndësishme të aseteve kriminale. Pse ne e ndërtuam në këtë mënyrë këtë gjë. Për shkak, sepse ne konstatuam se agjensi të ndryshme duke punuar të shkëputura, pavarësisht bashkëpunimit apo marrëdhënies ndërmjet tyre, nuk ishin të mirë koordinuara gjë që nuk e bënte efikase dhe rezultatin final, për shkak se nevoja për të koordinuar dhe për të bërë më efiçente të gjitha burimet që shteti disponon çoi në këtë zgjidhje ose në këtë qasje për të krijuar pikërisht këto task forca, që në një nivel ndërinstitucional sigurojnë koordinimin e institucioneve të ndryshme ligjzbatuese që me Kushtetutë dhe me ligj kanë për detyrë luftën kundër krimit të organizuar dhe në një nivel tjetër përmes task forcave që janë të natyrës operacionale, siguron ndërveprimin operacional për t’u përballur me këtë fenomen siç është krimi i organizuar.
Aleksandër Furxhi: Është thënë që janë 38 grupe kriminale…
Ministri Xhafaj: Jo nuk e kemi thënë këtë gjë dhe nuk e ka thënë Ministria e Brendshme. Mund të jenë 28, 38 mund të jenë 48. Media e ka thënë. Duhet të sqarojë një gjë. Mua më vjen shumë mirë që ka një pritshmëri të lartë ndaj kësaj, që do thotë se besohet. Së dyti që është shumë e rëndësishme janë vetëm dy muaj që kur ka filluar i gjithë ky proces. Natyrisht nuk filloi nga zero, por ka vetëm dy muaj që po ndërtohet e gjithë kjo qasje e posaçme, e fokusuar në luftën kundër grupeve kriminale. Së pari është dashur një kohë e nevojshme për të bërë kuadrin ligjor të nevojshëm. Pa një kuadër ligjor të caktuar, pa disa akte nënligjore është e pamundur, sepse këtu po bëjmë fjalë për një veprimtari ligjore të kryer nga shteti, në bazë dhe për zbatim të ligjit. Së dyti që është shumë e rëndësishme ka nevojë për masa të nevojshme infrastrukturore, për ta organizuar të gjithë këtë ndërmarrje të madhe.