Në një kohë që të paktën 19 fëmijë rezultojnë të prekur nga virusi i Fruthit, Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino e ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24 thotë se nuk ka vend për panik, pasi nuk kemi të bëjmë me një epidemi. Por ajo që vihet në dukje është fakti se 70% e të prekurve janë fëmijë të cilët nuk janë vaksinuar kundër Fruthit.
Arsyeja kryesore e mosvaksinimit lidhet me frikën e prindërve të tyre se kryerja e vaksinës MMR shkakton autizëm. Këto teori janë hedhur vitet e fundit pas zbulimit nga shkencëtarët se fëmijët e prekur nga sëmundja e autizmit kishin sasi të madhe mërkuri në trup, duke hedhur hipoteza se vaksina që bëhet në moshën 1 vjeç, MMR, është një faktor indikues pasi ka përmbajtje mërkuri. E në mes të këtyre dyshimeve, specialistja e ISHP-së shprehet se nga studimet e fundit në këtë drejtim nuk është faktuar që kjo vaksinë lidhet me autizmin.
“Një nga studimet më të rëndësishme i kryer në 2015-ën që vëzhgoi fëmijët me autizëm dhe vëllezërit dhe motrat e tyre, doli në konkluzionin se vaksina s’kishte lidhje me autizmin. Shumë institucione të rëndësishme ndërkombëtare siç është edhe Instituti amerikan i Mjekësisë konfirmojnë të njëjtën gjë”,- thotë Bino, raporton “BalkanWeb”.
Por mjekja bëri edhe një njoftim të rëndësishëm për të gjithë prindërit që mendonin se shtyrja e vaksinës minimizonte rrezikun e mundshëm të prekjes nga autizmi, duke thënë se “Shtyrja e vaksinës nuk ka asnjë lloj vlere. Ky është mit. Prindër me nivel të caktuar intelektual mendojnë që ushqyerja dhe veshja e mirë të ndihmojnë, por ja që rasti tregoi se nuk është tamam ashtu”,- shtoi Bino. Zonja Bino tha ndër të tjera se në të gjithë vendin ka rreth 1200 fëmijë të pavaksinuar, që mund të rrezikojnë të preken nga Fruthi.