Takimi i Nënkomitetit të 9-të mbi Tregtinë, Industrinë, Doganat dhe Tatimet midis BE-së dhe Shqipërisë u zhvillua më 18 janar në Bruksel. Përfaqësuesit e Komisionit Evropian dhe autoritetet shqiptare diskutuan zhvillimet më të fundit në këto fusha. Takimi u bashkëkryesua nga Georg Ziegler, Zëvendës Shef i Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje dhe Hercegovinën në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Evropian dhe Albana Shkurta, Zëvendës Ministre e Financave dhe Ekonomisë e Shqipërisë.
Takimi ofroi një mundësi për të vlerësuar progresin e arritur nga Shqipëria gjatë vitit të kaluar, veçanërisht në lidhje me përafrimin e legjislacionit kombëtar me acquis përkatës të BE-së. Përfaqësuesit shqiptarë informuan për arritjet në lidhje me eliminimin e masave me efekt të njëjtë me kufizimet sasiore për të siguruar lëvizjen e lirë të mallrave, masat për të lehtësuar procedurat tatimore dhe zhvillimet më të fundit legjislative në fushën e doganave. Më tej, pala shqiptare ofroi statistika të kohëve të fundit për tregtinë, si dhe informacion lidhur me negociatat në vazhdim mbi marrëveshjet tregtare me vendet e treta, paraqiti një përditësim mbi politikat industriale, duke përfshirë mbështetjen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME) dhe informoi rreth masave për të përmirësuar mjedisin e biznesit në përputhje me angazhimet e Shqipërisë në kuadër të Programit të Reformës Ekonomike (ERP). Gjithashtu, ofroi një përditësim mbi iniciativat më të fundit legjislative në fushën e turizmit.
Komisioni e vlerësoi pozitivisht faktin se eksportet shqiptare në BE janë trefishuar dhe vëllimi i përgjithshëm tregtar me BE-në është dyfishuar pas hyrjes në fuqi të pjesës tregtare të MAS-së në dhjetor 2006. Komisioni përshëndeti masat për të përafruar legjislacionin me acquis për lëvizjen e lirë të mallrave dhe veprimet që synojnë reduktimin e evazionit fiskal dhe luftimin e ekonomisë gri. Ai e inkurajoi Shqipërinë që të sigurojë pajisjen e plotë të Inspektoratit të Mbikëqyrjes së Tregut. Më tej, Komisioni përshëndeti miratimin e Protokollit Shtesë 5 të CEFTA-s dhe pret zbatimin e tij pa probleme. Gjithashtu, Komisioni vërejti me kënaqësi se qeveria shqiptare po krijon një mekanizëm për zbatimin dhe monitorimin e Zonës Ekonomike Rajonale (REA). Në këtë kontekst, Komisioni e inkurajoi Shqipërinë që të angazhohet me partnerët e CEFTA-s për të siguruar që Sekretariati i CEFTA-s është i pajisur plotësisht me një mandat të rishikuar, personel dhe një projekt-buxhet. Sa i përket politikave të industrisë, Komisioni nënvizoi punën e bërë nga pala shqiptare për të stimuluar pjesëmarrjen në programet COSME dhe e ftoi Shqipërinë t’i forcojë përpjekjet e saj për rritjen e thirrjeve për propozime. Për turizmin, Komisioni mirëpriti zhvillimet e legjislacionit përkatës, në veçanti paketën e turizmit dhe i inkurajoi autoritetet shqiptare që të vazhdojnë më tej me miratimin e Strategjisë së Turizmit./a.m.