Vijojnë operacionet e përbashkëta mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Italiane.
Një operacion i përbashkët mes Policisë Kufitare dhe forcave Policore Italiane ka sjellë në kapjen dhe sekuestrimin e një sasie prej 217 kg lënde narkotike e llojit marijuanë në zonën e Leçes.
Janë arrestuar në flagrancë për posedim të lëndës narkotike dy shtetas shqiptarë me banim në Itali.
Falë bashkëpunimit të ngushtë dhe në kohë reale ka nisur një veprimtari policore e mirëfilltë me shkëmbim informacionesh për persona të dyshuar për veprimtari të trafikut të paligjshëm të cilët operojnë në shtetin italian.
Bazuar në informacionet e dërguara në rrugë operative nga Policia Kufitare Shqiptare nëpërmjet zyrës ndërlidhëse të Policisë Shqiptare në Itali, policisë italianë (shërbimit antidrogë, Policisë së Kufirit të Zonës 9 dhe Guardia di Finanza të Pulias), u bë i mundur arrestimi i shtetasve me iniciale B. K. 37 vjeç dhe A.D. 26 vjeç , të cilët ishin në përgatitje të trafikimit të lëndës narkotike në zonën e Leçes, Itali.
Janë në vijim veprimtaritë policore dhe hetimore për kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë të tyre.
Kjo veprimtari dëshmon se bashkëpunimi dhe koordinimi me forcat policore italiane nuk kufizohet vetëm në goditjen e trafikut në det, por edhe në brendësi të territorit qoftë ky në Shqipëri apo në Itali.
a.ç