Zbardhen disa prej ngjarjeve që është akuzuar Klajdi Gjeci, i arrestuar ditën e sotme pasi akuzohet si personi që i vendosi tritol në automjet biznesmenit pranë Kodrave të Liqenit. Në 2012 është arrestuar për armëmbajtje pa leje, ndërsa në 2015 për plagosje të rëndë me dashje, por në të dyja rastet çështjet janë pushuar. Për armëmbajtjen pa leje 31-vjeçari u lirua pasi sipas vendimit, Policia nuk kishte marrë leje në Gjykatë për të hyrë në banesë, aty ku iu gjet edhe pistoleta.
Për plagosjen në maj të 2015, Klajdi Gjeci u lirua pasi personi i dëmtuar Enton Nushaj tërhoqi padinë. Ndërsa në dhjetor 2015 Klajdi Gjeci dyshohet se u mor peng nga 3 persona. Të arrestuarit dhe vet Gjeci dhanë dëshmi të paqarta, çka solli edhe lirimin e tyre, pasi Klajdi Gjeci tha se nuk i njihte personat e arrestuar. /Report Tv