Në një intervistë për DW, politikani serb Marko Jaksiç, i është drejtuar Serbisë, veçanërisht Aleksandar Vuçiçit, për vrasjen e Oliver Ivanoviçit, duke thënë se deri dje Serbia e ka quajtur atë tradhtar, e sot po e varrosin si qytetar nderi.
Kjo intervistë është titulluar “Për Kosovën flitet më zë të ulët”, e dhënë nga Marko Jaksiç, politikan serb nga Kosova.
“Deri dje e keni quajtur Ivanoviqin lojtar dhe tradhtar, e sot po e varrosni në Aleji si qytetar nderi. Ky lloj sarkazmi i flet të gjitha. Nuk mundeni të veproni kështu, njerëzit nuk janë budallenj”, ka thënë politikani serb nga Kosova, Marko Jaksiç, transmeton Express.
I pyetur nga kjo media se a beson që do të gjendet shpejt vrasësi i Oliver Ivanoviçit, Jaksiç tha se kjo gjë është mjaft e vështirë.
Ai ka thënë se në veri të Mitrovicës që nga koha kur Aleksandar Vuçiç hyri në zgjedhje në Serbi, kishin ndodhur një numër i madh i sulmeve të armatosura nëpër shtëpi. Madje, ai tha se nga këto djegie, kishte pësuar edhe vetura e tij.
“E kam pyetur personalisht Aleksandar Vuçiçin kur erdhi në Mitrovicë: A qëndroni pas djegies së makinës time, pasi ju kontrolloni shërbimet e inteligjencës? Ju e keni për obligim të më tregoni se kush e bëri këtë, pasi Mitrovica është e vogël”, tha Jaksiq ta ketë pyetur Vuçiçin. /Express/