“Dy vjet më parë më kishin ftuar në një studio për të dhënë një intervistë në përkujtim të 21 Janarit.
Vëllai im i ndjerë sigurisht më ndoqi, pasi në përgjithësi e lajmëroja kur dilja në intervista.
Pasi mbaroi intervista, me shumë ëmbëlsi e kujdes ( për të mos më lënduar) më tha “ mirë ishe Besi, por sa kam parë deri tani, ende nuk nxirrni qartë thelbin e problemit të 21 Janarit”.
I thashë, “ Koli po më shkruaj opininion tënd dhe ma nis ta kem parasysh për herë tjetër”.
Po atë ditë, në 21 janar 2016 Koli im i dashur më nisi këtë opinion të tij, që po ja përcjell gazetës tuaj, në kujtim të vëllait tim dhe me mendimin se realisht është një gjykim profesional.”- Besnik Bare.
Nga Sokol Baraj
Tashmë për çdo shqiptar është e qartë se 21 janari është një njollë e zezë në historinë e shtetit shqiptar, ashtu sikurse janë për të ngjarja e Gerdecit, viti 97, zgjedhjet e 96 etj. E përbashkëta e këtyre ngjarjeve është se në pushtet ka qënë gjithmonë Sali Berisha.
Sado që 21 Janari është analizuar nga analistë e shoqëria civile, ne pergjithesi, ajo ende nuk është zbardhur nga drejtësia, në mënyrë që të vendosë përpara ligjit përgjegjësit e vërtetë, urdhërdhënësit e hapjes zjarr nga garda, me pasojë vdekjen e 4 vetëve dhe plagosjen e dhjetra të tjerëve. Nga hetimi i sabotuar per kete ngjarje, mjaft elementë nuk janë evidentuar plotësisht. Do shtoja se edhe ekzekutuesit e këtyre urdhërave, vrasësit material, kanë arritur të dalin të pa lagur nga ky krim i bërë ditën për diell, në qëndër të kryeqytetit, buzë rrugës së godinës qeveritare, ndjekur live nga sytë e Kryeministrit.
Ku qëndrojnë veçoritë e ketij krimi shtetëror, të cilat e bëjnë atë një kazus për tu studjuar nga katedrat e të drejtës penale, pranë fakulteteve të drejtësisë, jo vetëm në Shqipëri por edhe jashtë sajë.
1-Vrasjet u bënë nga forca rreptësisht të organizuara dhe të instruktuara për rastet e përdorimit të zjarrit dhe taktikisht të përgatitura për raste kritike.
2-Vrasjet u benë jo nga ato forca, të cilat ishin në vijë të parë dhe nën presionin direkt të turmave, pra jo nga policia.
3-Nga ana e turmës nuk u provua për asnjë rast të jetë përdorur armë zjarri ose lëndë shpërthyese, elementë qe do të justifikonin përdorimin e armëve .
4-Në asnjë rast nuk u pa që turma të organizohej për të hyrë me dhunë në mjediset e kryeministrisë (pamjet filmike tregojnë një moment kur u terhoq policia dhe turma hypi në pjesën e lartë të shkallëve, pa bërë asnjë veprim tjetër, përveç se duke ngritur duart lart).
5-Asnje viktimë nuk u vra se po tentonte të hynte me forcë, ose pse ishte në posedim të mjeteve ose lëndëve të rrezikeshme. Të gjithë ishin dhjetra metra larg godinës.
6-U shkelen të gjitha kriteret për përdorimin e armëve përballë turmave (kur turma është e paisur me mjetet e lartë permendura, individualizohet organizatori ose organizatorët, të cilët mund të neutralizohen).
7-U qellua direkt mbi turmë në kundërshtim me çdo ligj për përdorimin e armëve.
Pasojat qene mjaft te rënda, 4 te vdekur e dhjetra të plagosur, disa dhe rëndë.
Ne nje shtet serioz, autoritetet shtetërore, menjëherë pas kësaj ngjarje do merrnin të gjitha masat e duhura për zbardhjen e sajë, duke i krijuar prokurorisë të gjitha kushtet për një hetim të plotë dhe të paanshëm, me qëllim vënien para përgjegjesisë të personave, që çuan në pasoja kaq të rënda.
Por ndodhi e pabesueshmja. Kryeministri filloi manipulimin e fakteve dhe të ngjarjes duke bërë lajthitje nga më banalet dhe duke instruktuar dhe mjeket e urgjences të spitalit për mënyrën e plagosjes dhe afërsinë e qitjes, sikur viktimat ishin vrarë nga po vetë turma (çadra pistoleta,thika me helm etj). Gjithashtu nuk u bë asnjë veprim për ruajtjen e vendit të ngjarjes, bllokimi i armëve të efektivave të gardës që ishin me sherbim, ruajtja e filmimeve të kamerave etj. Kulmi qe kur nuk u zbatua nga ana e forcave të policise as vendimi i prokurorise për shoqerimin e të ashtuquajturit “”Grupi zjarrit””, në shkelje flagrante të ligjit nga ana e policisë, e cila nuk mund të gjykojë ose të diskutoj vendimet e prokurorise. Si rrjedhojë, filloi manipulimi i vendit të ngjarjes (fshehja e gëzhojave), manipulimi i armëve të përdorura (ndërrrimi i tytes së pistoletes) dhe fshirja e të gjitha pamjeve të regjistruara nga kamerat.
Me të drejtë lind pyetja : Nese garda e policia do kishin vepruar konform ligjeve në fuqi, do i bënin te gjitha keto veprime të paligjëshme?
Absolutisht jo. Ne filmime do dukej qartë, që urdhëri ishte dhënë nga komandanti i gardës (ky padyshim i urdhëruar nga dikush më lart) edhe pse viktimat nuk kishin tentuar të hynin brenda godinës së ruajtur nga këto forca dhe të rrezikonin jetën e Kryeministrit. Policia do bënte bllokimin e armëve dhe do kishte shoqëruar “”grupin e zjarrit”” për tu pyetur nga prokurorët dhe do merrte masa për ruajtjen e vendit të ngjarjes, në pritje të detyrave të tjera nga prokurorët e ngarkuar për këtë ngjarje. Në rastin konkret do ishte fare normale që nga prokuroria të merreshin në pyetje që nga Kryeministri, ministri i brendshëm e me radhë drejtuesit e policisë e të gardes. Por fatkeqësisht asnjë procedurë normale sa më lart nuk ndodhi.
Me të drejtë lind përsëri pyetja PSE?
Sepse duheshin mbuluar gjurmët e një krimi . Sepse viktimat ishin shumë larg perimetrit të ruajtur nga garda. Sepse nuk kishte asnjë kusht për përdorimin e armëve, nga e cila
rrezikohej objekti i ruajtjes nga ana e gardës, ose aq më pak rrezikohej jeta e personit që mbante postin e kryeministrit. Sepse urdheri për hapje zjarri nuk ishte dhënë si pasojë e një reagimi profesional e ligjor por…….politik. Dhe çdo vrasje politike është antiligjore. Prandaj duhej fshehur e vërteta. Dhe ajo qe –Kush urdhëroi për të qëlluar mbi turmën.
(TemA)