Për kreun e Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, zgjidhja më e mirë e çështjes së ARMO-s është shtetëzimi i kompanisë.
Në intervistën e mbrëmjes në Ora News, Braçe tha se OSHEE provoi se kjo është zgjidhja e duhur.
Braçe: Ka një zgjidhje që për mua mund të rezultojë kalimtare. Zgjidhja përfundimtare për mua është një analizë e qartë e gjithë transaksionit të ARMO-s nga 2008 kur u privatizua deri në 2007, detyrimet fiskale dhe zgjidhja duhet të jetë shtetëzimi i kompanisë. Këtu ka një zgjidhje që ka rezultuar e suksesshme në rastin e OSHEE. Është e njëjta zgjidhje që mund ti jepet dhe kësaj çështje për të shpëtuar qeverinë nga pengmarrja dhe shantazhi përmes punëtorëve që këta i bëjnë qeverisë me anën e punëtorëve dhe të zgjidhë njëherë e mirë problemin e përpunimit të naftës në vend me cikël të mbyllur. Nëse ka dikush zgjidhje më të mirë të na e thotë.
Braçe tha se do të ketë një interpelancë me Ministrat e Energjisë dhe Ekonomisë, teksa tha se kjo çështje do të jetë në fokus edhe të mbledhjes së nesërme të qeverisë.
Deputeti socialist thotë se duhet një analizë e gjatë për kompaninë nga 2008 kur u privatizua deri sot.
Braçe: I kam kërkuar të dhëna me shkrim dy Ministrave dhe drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, një përgjigje ka ardhur sot, besoj se nesër mund të kem të dhëna më të sakta.Kërkesa ime ka qenë lidhur me detyrimet e krijuara nga 2008 se historia e ARMO-s nuk fillon sot. Cilat janë detyrimet fiskale që tashmë janë kthyer në borxh. Së dyti është një kërkesë drejtuar Ministrit të Energjisë për të sqaruar përfundimisht çështjen e pronësisë së ARMO nga 2008 deri tani dhe Ministrit të Ekonomisë për të njëjtën çështje shtuar dhe vlerën e aksioneve të shtetit shqiptar brenda kompanisë. Dy Minsitritë e kanë ndjekur me detaje, llogaritë bankare të ARMO-s janë bllokuar por edhe llogaritë, asetet dhe marrëveshjet e kompanisë që kishte në përdorim ARMO-n janë bllokuar. Nesër qeveria ka një mbledhje, do marrë në shqyrtim këtë çështje.
Por a kanë përgjegjësi qeveritë për gjendjen e ARMO-s?
Braçe: Padiskutim që nga e para që e privatizoi deri tek më e fundit. Kanë qenë në lojë 1300 punëtorë dhe familjet e tyre për këtë arsye qeveria është përkujdesur për anën sociale.