Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar lidhur me vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviç, ndërsa i bëri thirrje FBI-së që të hetojë për ngjarjen. Teksa dënoi tendencën për të shfrytëzuar politikisht rastin e vrasjes së politikanit.
Duke folur pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Haradinaj tha se ky krim është rezultat i rezultat i involvimeve ilegale që ndodhin në veri nga instanca jashtë vendit. Ai tha se nëse ka nevojë, mund të ftohet për të ndihmuar në hetimin e rastit Byroja Federale e Investigimit (FBI).
“Që nga momenti i marrjes së këtij lajmi, institucionet e vendit kanë kryer detyrat e veta në bazë të ligjit në vendin e ngjarjes. Janë ende në punë. Ne e dënojmë këtë krim dhe çdo tendencë për të shfrytëzuar këtë vepër makabre për agjenda politike nga kush doqoftë. Për hetimet mund të ftojmë edhe FBI”, ka thënë Haradinaj.
Lideri i Iniciativës Qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” (SDP) në Kosovë, Oliver Ivanoviç, nuk u ka mbijetuar plagëve, pas sulmit ndaj tij me armë zjarri, në mëngjesin e së martës. Sulmi ndaj Ivanoviçit kishte ndodhur para zyrës së tij.
a.ç