22-vjeçari Gerald Hazizaj, si shumë shqiptarë të tjerë shkoi në Britaninë e Madhe ilegalisht. Ai besonte se do të punonte në një lavazh, por shumë shpejt e gjeti veten duke bërë kopshtarin në një fabrikë kanabisi.
Hazizaj u gjet i fshehur në papafingon e një fabrike kanabisi në Hertfordshire. Para gjykatës u zbulua se 22-vjeçari po punonte si kopshtar në fabrikën e kanabisit në Shenley, me qëllim që të paguante borxhet.
Policia zbuloi 138 bimë në total, pasi një agjent i pasurive të patundshme vizitoi pronën dhe raportoi atë që kishte parë.
Policia zbuloi 3 dhoma gjumi dhe një dhomë të madhe në katin përdhe, të cilat përdoreshin për rritjen e drogës. Banesa ishte e pajisur gjithashtu me drita dhe sistem për ujitjen e bimëve.
Kur u mor në pyetje, Hazizaj tha se ishte trafikuar drejt Britanisë 2 muaj përpara se të kapej dhe se po paguante borxhin prej 10 mijë paund që i kishte kushtuar rruga. Ai u tha zyrtarëve britanikë se do të fillonte punë në një lavazh, por e gjeti veten duke u kujdesur për bimët e kanabisit, si e vetmja mënyrë për të shlyer borxhin.
Hazizaj, i cili ndihmohej nga një përkthyes shqiptar, u shfaq me anë të një video-konference nga burgu i Bedford, ku ndodhej, pasi pranoi akuzat e prodhimit të kanabisit nga 1 Shtatori deri më 21 Nëntor të vitit të shkuar. Mbrojtësi i tij ligjor, Nasser Rupani shpjegoi se i riu kishte shkuar ilegalisht në Britani, për këtë arsye kishte firmosur dokumentet për lehtësim të rikthimit në Shqipëri.
Ndërsa gjykatësi Stephen Warner i tha shqiptarit se ndihej i kënaqur që nuk kishte qenë ai organizatori i këtij aktiviteti kriminal dhe se roli i tij i vetëm kishte qenë kopshtar, ndonëse theksoi se Hazizaj kishte marrë pjesë me dëshirë në këtë sipërmarrje.
Ai e dënoi të riun me 4 muaj e gjysmë burg dhe duke marrë parasysh se një pjesë të dënimit e ka shlyer, Hazizaj pritet që të dalë shumë shpejt nga burgu.
Megjithatë, gjykatësi theksoi se deportimi i tij është i pashmangshëm, duke qenë se kishte abuzuar me sjelljen e tij ndaj vendit që e kishte mirëpritur.
a.ç