Përtej pritshmërive të qeverisë dhe institucioneve ndërkombëtare ka performuar ekonomia shqiptare gjatë vitit që lamë pas.
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj në një konferencë për shtyp deklaroi se rritja ekonomike e vendit parashikohet të arrijë në 3.9% për vitin 2017, mbi të cilën bazohet edhe parashikimi prej 4.2% për këtë vit.
“Rritja e vitit 2017 mendohet si 12 mujor të arrijë rreth 3.9%, që patjetër është mbi nivelin e parashikuar, qoftë nga ne qoftë nga Banka e Shqipërisë apo institucionet financiare ndërkombëtare, si FMN, BB apo BERZH”, deklaroi Ahmetaj.
Shqipëria, nënvizoi Ahmetaj, po renditet ndër ato vende me rritje shumë të shpejtë ekonomike nga institucionet ndërkombëtare si Instituti i Vjenës, apo BB.
Përveç sektorit të industrisë, i ndikuar nga thatësira, të gjithë sektorët e tjerë, konfirmoi ministri Ahmetaj, kanë ardhur me rritje.
“Tremujori i 3, për të cilin edhe të dhënat janë zyrtare është një tremujor shumë i mirë, por i goditur nga thatësira. Për këtë shkak energjia goditi me minus 34% industrinë . Nëse do të kishim një situatë normale mund të ishim më lart, mund të kishim synuar edhe rritjen ekonomike prej 4% që gjatë vitit 2017”, tha Ahmetaj.
Investime të reja huaja në ndërtim, turizëm e bujqësi
Investimet e huaja direkte në fund të tremujorit të tretë llogariten 676.6 milionë euro. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj theksoi se deri në fund të vitit 2017 ato llogariten të shkojnë në pothuaj të njëjtin nivel me vitin 2016, që ishin gati 1 miliard euro.
Ahmetaj foli edhe mbi debatin e ndikimit në ekonomi të përfundimit të dy projekteve, TAP dhe Devoll. Sipas ministrit, efekti i këtyre dy projekteve mjaft të rëndësishme për ekonominë është vetëm 0.1-0.25% e totalit. Në diskutimet tona edhe me FMN-në, Ahmetaj tha se ndajmë opinionin se kontributi i rritjes ekonomike është realisht i mbivlerësuar nga ajo që këto dy projekte japin.
Ai bëri të ditur se këto dy investime do të zëvendësohen me investime të tjera të huaja serioze në turizëm, ndërtim apo bujqësi. Gjatë këtij viti, sipas ministrit parashikohen edhe investime strategjike, si ngritja e Aeroportit të Vlorës, apo disa projekte të rëndësishme në turizëm, që nga ana legale e proceduriale pritet të maturohen në 6 mujorin e parë dhe të fillojnë investimin gjatë fundit të 2018-s apo fillim të 2019-s.
“Janë 1100 kompani të huaja, janë kompani me shifra më të ulëta që furnizojnë gjenerimin e rritjes organike të investimeve të huaja dhe ekonomisë dhe këto janë gjithmonë në rritje. Po ashtu, janë 304 projekte të mëdha që organikisht do të furnizojnë rritjen ekonomike dhe vlerën e investimeve të huaja”, bërit të ditur Ahmetaj.
Punësimi, qeveria me projekt të ri: Punëkërkuesit e papunë kurse kualifikimi falas
Papunësia u ul deri në fund të tremujorit të tretë, që janë edhe të dhënat e fundit zyrtare në 13.6%.
Ministri Ahmetaj tha se që nga viti 2014 kemi rritje të konsiderueshme të pjesëmarrjes në forcat e punës, nivel i cili llogaritet aktualisht 59%. Në harkun kohor të tre viteve, tha ai, kemi rënie me 4% të papunësisë nga 17.6% në 13.6%.
Këtu ai theksoi rëndësinë që merr arsimi profesional në rritjen e punësimit në vend. “Unë besoj se është e rëndësishme të mbështesim arsimin profesional. Ministria po drafton një vendim për të detyruar të gjithë punëkërkuesit e papunë që përfitojnë ndihmë ekonomike të kalojnë me detyrim në kualifikim dhe falas. Ta bëjmë atë grup sa më të punësueshëm duke përputhur aftësitë me nevojat në treg
Ahmetaj evidentoi edhe rolin e ri që tashmë kanë marrë edhe zyrat e punës në rreth që është ai i ndërmjetësimit. Nëpërmjet tyre, theksoi ministri, është arritur punësimi i 23 136 punëkërkuesve të papunë./ATSH
a.ç