Nëse kaloni nga sheshi “Skënderbej” dhe vëreni disa stola shumëngjyrësh, të vendosur në mënyrë të çrregullt, dijeni se janë një copëz Vjenë në Tiranë. Vijnë si dhuratë nga Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) dhe Raiffeisen Bank për t’i dhënë më shumë jetë e hijeshi sheshit më të madh të të gjithë shqiptarëve, por edhe mundësi për t’u çlodhur frekuentuesve të tij. Kryebashkiaku Veliaj falenderoi donatorët për këtë dhuratë që i bënë Tiranës dhe theksoi se stolat e rinj do të tërheqin më shumë njerëz në shesh.
“Kjo dhuratë i jep më shumë shpirt sheshit. Sheshet janë objekte infrastrukture, urbanistike, por nëse nuk kanë shpirt, njerëz dhe jetë, bëhen të padobishëm për qytetin. Sapo është larguar fshati i festave, për t’ia lënë vendin një mobilimi të ri, më pranveror, për njerëzit që do kalojnë më shumë kohë në gjelbërim, ku do të ketë shfaqje opera në natyrë apo me hapjen e Muzeut, në prag të përgatitjeve për shumë aktivitete për vitin jubilar të Skënderbeut”, u shpreh ai.
Veliaj nënvizoi se stolat e rinj i japin sheshit “Skënderbej” më shumë mundësi për çlodhje dhe argëtim, sidomos për fëmijët. Ai tha se ky kontribut vjen si vijim i disa bashkëpunimeve që Bashkia e Tiranës ka me Bashkinë e Vjenës dhe kompanitë austriake në Shqipëri.
Ambasadori austriak në vendin tonë, Johann Sattler u shpreh se stolat e vendosur në sheshin “Skënderbej” janë një tjetër dëshmi e marrëdhënieve dhe lidhjeve që ekzistojnë tashmë me Shqipërisë dhe Austrisë.
“Puna më e mirë në botë në këtë qytet është profesioni im, i Ambasadorit të Austrisë. Pse? Sepse ka kaq shumë lidhje midis nesh, midis Austrisë dhe Shqipërisë, dhe jam shumë i lumtur që kemi edhe një urë të re lidhëse mes nesh, midis shteteve tona, që janë stolat vjenezë”, tha ambasadori Sattler.
Menaxherja e TAP-it për Shqipërinë, Ulrike Andres theksoi se stolat shumëngjyrësh janë një arsye më shumë që qytetarët të vizitojnë dhe kalojnë më shumë kohë në sheshin “Skënderbej”.