Nga Enver Robelli
Rrallëherë nga Ballkani vijnë lajme të mira. Ky rajon, siç ka thënë burrështetasi britanik Winston Churchill, prodhon me shumë histori se ç’mund ta përballojë. Rezultatet e konflikteve të përgjakshme i kemi parë të gjithë në tri dekadat e fundit. Familje të prekura nga tragjeditë e luftërave, infrastrukturë dhe ekonomi të shkatërruara, papunësi, rënie e nivelit arsimor, radikalizëm fetar dhe politik, nacionalizëm agresiv. Sot Maqedonia prodhoi një lajm të mirë.
Në të ardhmen gjuha shqipe, sipas vendimit të parlamentit, do të jetë zyrtare, e barabartë me maqedonishten e shumicës sllave. Ekziston vetëm edhe një barrierë që duhet të kalohet: ligjin duhet ta nënshkruajë presidenti i vendit. Do të ishte gabim i madh nëse Gjorge Ivanov kundërshton këtë vendim të parlamentit të zgjedhur në mënyrë demokratike.
Duke e bërë shqipen gjuhë zyrtare deputetët e kuvendit të Maqedonisë kanë përqafuar vlerat e bashkëjetesës paqësore në një Europë të bashkuar. Ky është një rast për t’u gëzuar. Merita për këtë sukses kanë shumë shqiptarë, përfshirë sidomos të ndjerin Arbën Xhaferi dhe liderin e shqiptarëve të Maqedonisë, Ali Ahmeti, por edhe figura të tjera publike të shqiptarëve të këtij vendi.
Prej dy milionë banorëve të Maqedonisë gati një e treta janë shqiptarë. Kufizimi i deritanishëm i përdorimit të shqipes ka qenë një gabim historik i shumicës maqedonase dhe ka ndikuar shpesh që shqiptarët të ndihen si qytetarë të rendit të dytë. Respektimi i gjuhës shqipe është parakusht që shqiptarët ta pranojnë Maqedoninë si shtet të tyre, të cilit i paguajnë taksa. Me avancimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoni realizohet një ëndërr e ngahershme e shqiptarëve të Maqedonisë.
Për të arritur këtu shqiptarët e Maqedonisë kanë kaluar një rrugë të gjatë. Në fund të viteve ’80 gjimnazistët shqiptarë dëboheshin nga shkollat e tyre dhe vazhdonin shkollimin në Kosovë. Për të shtuar presionin ndaj shqiptarëve autoritetet maqedonase prishnin muret gjoja të larta përreth shtëpive të shqiptarëve. Për t’i mbajtur shqiptarët e Maqedonisë të izoluar nga dija, pushteti në Shkup nuk lejonte të hapej universitet në gjuhën shqipe.
Kur disa intelektualë u përpoqën të themelojnë Universitetin e Tetovës më 1994, policia maqedonase rrahu dhe vrau njerëz. Kështu kaluan vitet ’90. Disa ndryshime pozitive gjatë bashkëqeverisjes së VMRO-së së Lupço Georgievskit me PDSH-në e Arbën Xhaferit nuk qenë të mjaftueshme për të shmangur rezistencën e armatosur të shqiptarëve të Maqedonisë. Pas përfundimit të konfliktit me Marrëveshjen e Ohrit shqiptarët në letër fituan disa të drejta thelbësore, por ato u realizuan shumë ngadalë – për shkak të zvarritjes nga ana e palës maqedonase, por edhe për arsye të polarizimit të përhershëm mes politikanëve shqiptarë.
Shumë vite të tjera u humbën në humnerën e korrupsionit dhe të përpjekjeve të kryeministrit shumëvjeçar Nikola Gruevski për ta shndërruar Maqedoninë në një shtet me tendenca diktatoriale. Përleshjet e inskenuara në Kumanovë mes disa bjerrakohësve shqiptarë dhe forcave policore të Shkupit në pranverë të vitit 2015 qenë edhe një dëshmi për qorrsokakun e rrezikshëm në të cilin kishte futur vendin Gruevski.
Sot në krye të qeverisë së Maqedonisë është Zoran Zaev, i cili ndikoi që parlamenti të kalojë ligjin që e bën shqipen gjuhë zyrtare. Me këtë Zaev padyshim ka hyrë në historinë bashkëkohore të Maqedonisë si politikan që pranon realitetin: Maqedonia po aq sa është shtet i maqedonasve është edhe shtet i shqiptarëve. Nëse gjatë këtij viti arrihet të zgjidhet konflikti absurd me Greqinë për çështjen e emrit, atëherë ka gjasa të hapet shpejt rruga që Maqedonia të fillojë negociatat për anëtarësim në BE dhe në NATO. Maqedonia është kandidate për anëtarësim në BE që nga viti i largët 2005. Ka ardhur koha që, më në fund, bota perëndimore të hapë portat për integrimin e Maqedonisë. Në këtë drejtim shqiptarët e Maqedonisë duhet të dhënë kontributin e tyre në mënyrë që Ballkani të prodhojë lajme të mira dhe jo vetëm histori kacafytjesh.
a.ç