Presidenti Donald Trump i habiti ligjvënësit të enjten gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë për imigracionin, kur sipas njoftimeve iu referua Haitit dhe vendeve afrikane me një fjalë të papërshtatshme.
“Pse i pranojmë gjithë këta njerëz nga vende (…) të vijnë këtu”, pyeti presidenti, sipas një njoftimi që u raportua për herë të parë nga gazeta Washington Post dhe u konfirmua nga televizioni CNN. Fjala e përdorur prej tij mund të përkthehet afërsisht si “të pista dhe të varfra”.
Zoti Trump tha se Shtetet e Bashkuara duhet të lejojnë më shumë njerëz nga vende të tilla si Norvegjia, kryeministrja e së cilës u takua me të në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën.
E pyetur nga mediat, përfshirë Zërin e Amerikës, Shtëpia e Bardhë lëshoi një deklaratë ku thuhej se presidenti do të pranojë vetëm një marrëveshje emigracioni që “trajton si duhet sistemin e llotarisë së vizave dhe emigracionin zinxhir” – dy programe të cilat dëmtojnë ekonominë tonë dhe lejojnë terroristët në vend.” Imigracioni zinxhir është një term i përdorur nga kritikët e imigracionit, të cilët i referohen sistemit që lejon të afërmit të sponsorizojnë anëtarët e familjes për të ardhur në Shtetet e Bashkuara.
Shtëpia e Bardhë nuk konfirmoi dhe as nuk mohoi nëse Presidenti kishte përdorur fjalën e papërshtatshme kur kishte folur për Haitin dhe Afrikën.
Në deklaratë thuhej gjithashtu se Presidenti Trump gjithmonë do të refuzojë “masat e përkohshme dhe të dobëta që u krijojnë pengesa atyre emigrantëve të cilët kërkojnë një jetë më të mirë në Shtetet e Bashkuara nëpërmjet një rruge të ligjshme.”
Gjithashtu, Zëri i Amerikës u interesua pranë zyrave të ligjvënësve që thuhet se ishin të pranishëm në takim.
Sipas njoftimeve, Presidenti Trump i bëri komentet kur senatori Dick Durbin, demokrat nga shteti Ilinoi, po shpjegonte kuadrin e një marrëveshjeje të arritur nga gjashtë senatorë të të dyja partive, marrëveshje që synon mbrojtjen nga deportimi të rreth 800 mijë emigrantëve të rinj, si dhe forcimin e sigurisë së kufirit, sipas gazetës Washington Post.
Deklarata e Shtëpisë së Bardhë
“Disa politikanë të Uashingtonit zgjedhin të luftojnë për vendet e huaja, por Presidenti Trump gjithmonë do të luftojë për popullin amerikan. Presidenti do të pranojë vetëm një marrëveshje emigrimi që trajton në mënyrën e duhur sistemin e llotarisë së vizave dhe imigrimin zinxhir – dy programe që dëmtojnë ekonominë dhe lejojnë terroristët në vendin tonë. Ashtu si vendet e tjera që kanë imigrim mbi bazë meritash, Presidenti Trump po lufton për zgjidhje të përhershme që e bëjnë vendin tonë të fortë duke mirëpritur ata që mund të kontribuojnë në shoqërinë tonë, të rrisin ekonominë dhe të asimilohen në vendin tonë të madh. Ai do të kundërshtojë gjithmonë masat e përkohshme, të dobëta dhe të rrezikshme, që kërcënojnë jetën e amerikanëve dhe pengojnë ata emigrantë të cilët kërkojnë një jetë më të mirë në Shtetet e Bashkuara nëpërmjet një rruge të ligjshme”./VOA