Parlamenti maqedonas ka miratuar me 69 vota pro ligjin për gjuhën shqipe.
Në votim nuk pati asnjë kundër apo abstenim, ndërkohë që deputetët e VMRO DMPNE nuk morrën pjesën në votim.
Ligji u cilësua si antikushtetues nga VMRO DMPNE.
Ligji parashikon përdorimin e gjuhës shqipe në të gjithë territorin e Maqedonisë dhe institucionet publike e private, ndryshe nga ligji aktual i cili njeh të drejtën e gjuhës aty ku shqiptarët janë shumicë.
Gjuha shqipe nuk do të përdoret në bankënota dhe në uniformat e Armatës, por partnerët e koalicionit qeverisës, kanë arritur marrëveshje që në bankënota të përdoren simbole kulti që do të reflektojnë edhe ato shqiptare. Sa i përket uniformave të policisë, punonjësve të shëndetësisë dhe zjarrfikësve, gjuha shqipe do të figurojë vetëm në ato komuna ku së paku 20 për qind e popullatës e flasin gjuhën shqipe.
Debati për ligjin e sapomiratuar ka nisur që më 5 shtatorin e kaluar, në komisionin kuvendor për Çështjet Europiane. Ndërsa shumica parlamentare aprovoi nevojën për miratimin e tij më 15 nëntor të vitit të kaluar.
a.ç