Kryeministri Edi Rama ka ndryshuar disa prej drejtuesve politikë të PS-së në qarqe.
Burime për Report Tv theksojnë se në mbledhjen e fundit të kryesisë së selisë rozë, kryesocialisti ka vendosur të largojë Beqjen si drejtues politik në Dibër për ta rikthyer atë në Kukës. Beqja do bashkëpunojë me Mimi Kodhelin duke e fuqizuar kështu këtë qark me qëllim rritjen e PS-së në vota.
Ndërkaq në Dibër, Rama ka caktuar ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka. Është hera e parë që Xhaçka bëhet drejtuese politike e një qarku. Një besim i madh ky i kryeministrit Rama dhënë ministres së Mbrojtjes e cila njëheraz është edhe kryetare e Forumit të Gruas së PS.
Ditën e nesërme Rama pritet të zhvillojë një takim me deputetët e PS në qarkun e Korçës dhe Elbasanit në kryeministri, si pikënisje e përgatitjeve të selisë rozë për zgjedhjet lokale të 2019-ës.
Pritet që PS të mos ketë koalicion të hapur me partitë e tjera, por nuk përjashtohet një aleancë me partitë e vogla me qëllim fuqizimin e përfaqësimit në këshilla bashkiakë. Në mbledhjen e fundit të kryesisë së PS, Rama ka theksuar rëndësinë e aleatëve të vegjël duke i mëshuar një aleance lokale me parti të vogla.
a.ç