Fondi rezervë do të jetë për të përballuar shpenzimet e pritshme të reformës në drejtësi për hapësirën kohore 2018-2020.
Qeveria ka parashikuar një fond rezervë prej rreth 36 milionë dollarësh.
Scan ka zbardhur parashikimet buxhetore të qeverisë për tre vitet e ardhshme.
Për vitin që sapo nisi, Këshilli i Ministrave ka parashikuar një fond rezervë prej 1 miliardë lekësh, apo 10 milionë dollarësh për këtë qëllim. Në dy vitet që do pasojnë, fondi do të rritet për të shkuar në 1.8 miliardë lekë, afërsisht 18 milionë dollarë.
Në këto fonde parashikohen edhe shpenzimet për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, i cili nuk është krijuar ende dhe pritet të konstituohet në tremujorin e parë të këtij viti.
Ndërkaq, 4.5 milionë dollarë është shuma e përcaktuar në buxhetin e vitit 2018 për organet e Vetting-ut që do bëjnë rivlerësimin e gjyqtarëve e prokurorëve.
Sipas të dhënave zyrtare të Buxhetit të Shtetit, pjesën e luanit nga kjo shifër do ta marrë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i kryesuar nga Genta Bungo.
Për mbulimin e pagave dhe shpenzimeve të këtij organi është përcaktuar shuma prej rreth 1.8 milionë dollarësh. Kolegji i Apelimit i kryesuar nga Natasha Mulaj, do përfitojë nga buxheti i shtetit rreth 1.3 milionë dollarë. Për Komisionerët Publikë është parashikuar një fond prej afro 500 mijë dollarësh. /b.d