Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është detyruar ta refuzojë ftesën e Komandantit të Gardës Nacionale të Ioëa-s së SHBA-së për një ngjarje të organizuar nga ai, pasi nuk ka mundur të pajiset me vizë. Këtë e ka konfirmuar mbrëmë një zyrtar nga Garda Nacionale në Ioëa të SHBA-së, i cili ka thënë se kryeministri i Kosovës e ka anuluar një vizitë të planifikuar për 11 janar në këtë shtet federal amerikan, me arsyen se “ai nuk ka mundur ta marrë vizën”. Por, kush janë edhe 37 shqiptarët, të cilëve u ndalohet udhëtimi për në SHBA?
Përveç kryeministrit, është një listë e gjatë prej 37 shqiptarëve të cilët figurojnë si “persona të rrezikshëm” në listën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Daut Haradinaj, Rexhep Selimi, Azem Syla, Haradin Balaj, Fatmir Limaj, Ramiz Lladrovci, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa, Emrush Xhemajli, janë disa prej emrave të shtetasve nga Kosova që SHBA-ja i konsideron “persona të rrezikshëm” për sigurinë e saj.
Ky urdhër është nënshkruar nga ish-Presidenti, George W.Bush, në vitin 2001 dhe ka për qëllim që të përballet me kërcënimin e madh ndaj sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme të SHBA-së nga persona që janë të përfshirë apo mbështesin dhunën ekstremiste në Republikën e Maqedonisë dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ose ndaj pengesave që mund t’i bëhen zbatimit të Marrëveshjes së Dejtonit në Bosnje apo ndaj Rezolutës 1244 të OKB-së për Kosovën.
Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në qershor të vitit 2017 e ka vazhduar edhe për një vit këtë urdhër ekzekutiv për emergjencë kombëtare në Ballkanin Perëndimor. Në këtë listë i vetmi shtetas nga Shqipëria është Idajet Beqiri. Ndërsa nga Maqedonia rezultojnë Menduh Thaçi, Gafur Adili dhe Nuri Bexheti.
Në listën e publikuar nga Departamenti Amerikan i Thesarit në faqen e tij zyrtare në qershor të vitit 2017, përfshihen edhe një sërë kompanish, apo organizatash humanitare, kryesisht me karakter islamik, si edhe disa grupime paramilitare, apo lëvizje ushtarake të krijuara që në kohën e luftës në Kosovë e Maqedoni, si Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Armata Kombëtare Shqiptare etj, përgatiti ”Gazeta Express”. (b.an)