Projekti ambicioz i Bashkisë së Tiranës për Pyllin Orbital, i cili do të rrethojë kryeqytetin me një brez të gjelbër me 2 milionë pemë, ka gjetur mbështetjen edhe të agjencive të njohura financiare. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Drejtori i Kooperacionit Italian, Nino Merolla, nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit për financimin e të gjithë projektit të Pyllit Orbital për gjelbërimin e 23 zonave të ndryshme në kryeqytet, duke zgjeruar hapësirat e gjelbra për qytetarët e Tiranës dhe kontribuar për një mjedis më të pastër.
Kryebashkiaku Veliaj theksoi se falë këtij financimi, deri në vitin 2030, Tirana do të ketë 2 milionë pemë të reja. “Jam shumë i lumtur sot që bashkë me ambasadorin italian dhe me drejtorin e Kooperacionit italian kemi firmosur një marrëveshje për Pyllit Orbital të Tiranës. Është një projekt që e kemi pasur ëndërr, një dëshirë shumë të madhe pas përfundimit të Planit Urbanistik të Tiranës, por tani ka ardhur koha që ta bëjmë realitet. Po bëjmë realitet disa nga projektet bazë, por ideja që do t’i mbijetojë mandatit tonë në bashki, por ndoshta edhe jetës sonë, është ajo e Pyllit Orbital. Ndaj jam shumë entuziast që me ndihmën e Kooperacionit italian sapo kemi firmosur financimin për projektin e Pyllit Orbital, e cila do të prodhojë rezultate konkrete të 23 zonave që do të gjelbërohen falë këtij projekti”, tha Veliaj.
Teksa renditi një sërë projektesh të rëndësishme mes Bashkisë së Tiranës dhe disa qyteteve italiane, Veliaj nënvizoi se nënshkrimi i kësaj marrëveshje është një tullë mbi një raport fantastik që Shqipëria ka me Italinë, por sidomos Tirana me qytetet italiane, duke sjellë përfitime për qytetarët.
“Kjo marrëveshje është në vijim të marrëdhënieve fantastike të dy vendeve tona, por sigurisht të qytetit të Tiranës. Me një kompani publike mes Bashkisë së Tiranës dhe Bashkisë së Veronës pastrojmë qytetin, në bashkëpunim me qytetin e Firences do të kemi biçikletat dhe korsitë e biçikletave, me Bashkinë e Milanos dhe arkitektë milanezë kemi bërë planin urbanistik, me puliezët jemi duke punuar në fushën e ujit. Kjo e sotmja është një tullë mbi një raport fantastik dhe ideal që Shqipëria ka me Italinë, por sidomos Tirana me qytetet italiane, nga e cila ka buruar dhe gjithë ky bashkëpunim, që po përkthehet në mënyrë ditore, në të mira publike, në përfitim të qytetarëve”, deklaroi Veliaj.
Projekti për Pyllin Orbital parashikon shtimin e gjelbërimit jo vetëm në periferi të qytetit, por njëkohësisht edhe brenda zonave urbane. “Mezi pres që pasi kjo firmë të hyjë në fuqi, të fillojmë kontraktimin e atyre që do të na prodhojnë projektin dhe besoj që deri në vitin 2030 do të kemi në qytetin e Tiranës më shumë pemë se ç’kemi trashëguar kur e morëm detyrën në këtë qytet. Jo vetëm në periferi ku tashmë kemi filluar, por edhe në zonat urbane të Tiranës, do të jetë produkt i këtij financimi të Kooperacionit italian për të cilin unë jam shumë mirënjohës”, u shpreh Veliaj.
Kreu i Bashkisë ftoi qytetarët dhe institucionet e ndryshme private dhe shtetërore që t’i bashkohen kësaj nisme, duke kontribuar për mbjelljen e pemëve të reja, ndërsa shprehu bindjen se deri në fund të sezonit të mbjelljeve këtë vit, Tiranës do i jenë shtuar mbi 100 mijë pemë. “Duke mbjellë përditë dhe duke mbajtur këtë ritëm për sa kohë që zgjat ky sezon, unë them se do të kemi arritur ambicien tonë për këtë vit. E di që ka shumë mënyra sesi gjërat mund të bëhen më mirë, por besoj që mënyra më e mirë nuk është duke kritikuar, por duke bërë diçka konkrete. Nëse kanë një ditëlindje, nëse kanë një përkujtim, nëse kanë një aktivitet familjar, mënyra më e mirë për ta shënuar atë datë është duke mbjellë një pemë”, deklaroi kryebashkiaku.
Drejtori i Kooperacionit Italian, Nino Merolla përgëzoi kryebashkiakun Veliaj për punën e bërë deri më tani dhe siguroi se përmes kësaj marrëveshje financimi, hidhet një hap i ri në konsolidimin e miqësisë midis dy vendeve. Merolla u shpreh se realizimi i këtij projekti do ta transformojnë Tiranën në një qytet modern europian, duke e shndërruar në shembullin më të mirë se përmes punës këmbëngulëse, arrihen rezultate të larta.
“Me këtë marrëveshje, hedhim një hap të ri në konsolidimin e miqësisë midis dy vendeve dhe jemi shumë të lumtur që të kontribuojmë në këtë plan gjelbërimi të Tiranës. Jemi shumë të lumtur që jemi krah për krah Bashkisë së Tiranës për transformimin e qytetit, një transformim që të gjithë tashmë e vëmë re. Jemi të kënaqur që do punojmë së bashku, në realizimin e këtij projekti, nga i cili do të ketë shumë të mira Tirana dhe do të ketë shumë të mira bashkia, gjithë qytetarët, për ta transformuar Tiranën në një qytet modern, europian dhe që do të jetë një shembull i cili do të tregojë se si me punë këmbëngulëse, me punë të mira, arrihen rezultate të larta. Një kompliment për Kryetarin e Bashkisë dhe për të gjithë stafin e bashkisë që punon për këtë qëllim”, theksoi Merolla, Drejtori i Kooperacionit Italian
a.ç