Kryeministri Edi Rama e ka nisur mëngjesin e sotëm me një foto të Leos, 9-vjeçarit të lindur me një defekt në kocka, dhe që për vite me radhë i është nënshtruar operacioneve të ndryshme.
Dhe mëngjesin e kësaj së hëne, duket Rama që përshëndet Leon e vogël, i cili po shkon me një makinë në shkollë.
Ditën e Vitit të Ri, kreu i qeverisë në rubrikën “Ka një mesazh për Ty” tek Ardit Gjebrea, iu përgjigj letrës që Leo i kishte shkruar këtë fundvit Babagjyshit.
Leo, teksa hyri në studio në karrocë me rrota, është shprehur se nga Babagjyshi pret këtë vit një makinë me të cilën të mund të shkojë në shkollë, dhe një fizioterapist që ta ndihmojë.
Fill pas këtij momenti, në studio hyri kryeministri Rama i veshur si Babagjyshi i Vitit të Ri dhe i ka bërë surprizën e veçantë, duke ia realizuar dëshirat.
“Mirëmëngjes dhe me këtë moment të ditës së saponisur, duke përcjellë në shkollë Leon e vogël me makinën që i kërkoi Babagjyshit në letrën e tij, ju uroj të gjithëve një javë të mbarë,” shkruan Rama në Facebook.