Çmimi i disa llojeve të cigareve në treg është rritur prej disa ditësh me 10 deri 20 lekë për paketë dhe shkak për këtë është bërë rritja e nivelit të akcizës me 5 lek për paketë. Kjo gjë është reflektuar menjëherë tek konsumatorët, të cilët tashmë duhet ta blejnë më shtrenjtë duhanin, nga sa e kishin blerë përpara 1 janarit. Tregtërat thonë se shkak për rritjen e çmimit janë bërë distributorët, të cilët kanë shtuar 10-20 lekë për paketë.
Tregtar: U rritën edhe para vitit të ri. Slimsi, FilipMorris, Malbora, të gjitha janë rritur. Nga 10 deri në 20 lekë. Ne furnizohemi në supermarkete, ata i kanë rritur çmimet. Nuk dimë gjë, aq sa na thonë, aq i marrim.
Por ka edhe nga ata tregtarë të cilët ende nuk e kanë rritur çmimin e cigareve, pasi sipas tyre një gjë e tillë nuk është bërë nga kompanitë të cilat i furnizojnë me këtë produkt.
Tregtar: Sot mora furnizimin unë, me çmimin që i kam marrë në vitin 2017. Disa dyqane të vogla i kanë rritur çmimet e paketave pasi furnizohen në supermarkete. Por kompanitë nuk i kanë rritur çmimet. Nuk kemi njoftim nga kompania e furnizimit se mund të na rriten çmimet e cigareve.
Distributorët e kompanive të rëndësishme të importit dhe tregtimit të cigareve kishin shpjeguar më herët se nga 1 janari i vitit 2018, do të reflektohet menjëherë në çmimin përfundimtar të cigareve, çka do të thotë se konsumatori do ta blejë më shtrenjtë duhanin.