Nga Prof. As. Dr. Artan Xh. DUKA
Miti i konsensusit për në BE
Gjithnjë deklarohemi si shoqëri se të gjithë biem dakort për integrimin në BE. Po a jemi vërtet të tillë? Apo është mit! Që më shumë po na prish se na ndreq punë?
Z. Basha sapo paralajmëroi rinisjen e protestave pakthim në janar! E dinë që do bëjnë një vrimë në ujë por duan rrëmujë. Mbase gënjejnë veten se do zgjasin agoninë para drejtësisë, në mos fshehin tjetër gjë. Ajo që dinë me siguri është se duke iu kundërvënë reformës në drejtësi, po komplikojnë hapjen e negociatave me BE.
Por ndërsa nga politika e përfolur pritet gjithshka, votuesit pse u shkojnë pas? Pavarësisht orientimit perëndimor të votuesve të PD, vota e tyre sistematike (afro 25% e elektoratit) për PD si “kontrapedal” ndaj BE, po shndërron tashmë në mit konsensusin shoqëror drejt BE. Ja pra që nuk jemi 100% pro BE.
Nëse integrimi në BE është në “genin” politik të votuesit të PD, ai nuk duhet të sakrifikojë ëndërrën e 90-s për hir të makthit të drejtuesve historik të PD ndaj reformës në drejtësi. Është paradoks fakti që ndërsa të gjithë shprehemi pro BE, pro Amerikës, pro shtetit ligjor, pro interesit kombëtar etj, ka akoma vota shkon për një lidership që ka nëpërkëmbur afro 30 vjet me bëma që do mbeten në histori, të gjitha këto objektiva (piramidat, Gërdeci, 21 janari, abuzimi me votën etj) me kulm, marrëveshjen famëkeqe për detin me Greqinë!
Sa kohë vazhdon ky paradoks dhe e djathta nuk gjen vetveten, konsensusi për BE do të mbetet një mit. Po aq i trumbetuar sa dhe ai i harmonisë fetare kur dihet se harmonia jonë bazohet tek paganizmi i të parëve dhe tek besimi tek kombi e vetvetja përballë feve që u njësuan historikisht me pushtuesin dhe kanosjen për asimilim.
I lini tek-pullë
Votuesi pro-BE nuk ka pse voton e mbështet në shesh një kurs politik anti-BE të PD. Do të lojë me të ardhmen e familjes së tij por dhe me fatin e vëndit nëse ky qëndrim anti-BE do të mundësonte futjen e Serbisë para nesh në BE. Patriotizmin askush nuk e ka monopol por ndërkohë ai nuk ka brirë.
Jo se pala përballë është e kulluar; politikës tashmë i ka dalë syri e nami bashkë por, nëse vlen si ngushëllim, votuesi i djathtë e di që në krye të PS është një politikan si Rama dikur protagonist i së djathtës liberale në vitet 90 që jo rastësisht gëzon besimin e të majtëve në një parti “social-ishte” teksa koha bën të vetën dhe palët reflektojnë.
Por nëse nuk duan të mbështesin Ramën, të mbështesin plot parti dhe intelektualë dinjitozë të së djathtës në vend. Që e kanë kuptuar se problemi i PD nuk është z. Basha por trashëgimia e paraardhësit të tij.
Ish-ministrat e ish-titullarët e PD që anatemojnë si “disidenta” z. Basha dhe “bëjnë be” për z. Berisha, nuk janë oferta e duhur për PD e të djathtën në vënd. Ngërçi ynë demokratik quhet e djathta e kapur në Shqipëri dhe pa fituar dinjitetin dhe autoritetin demokratik ajo, gjithmonë rruga drejt BE do të mbetet tatëpjetë pafund.
Anti-BE! Në emër të kujt?
PD nuk duhet anatemuar se është anti-BE. Nuk ka pse të jetë tabu bile mozaiku politik në vënd ka nevojë për parti me orientim jo-BE. Ka plot parti patriotike në BE që janë kundër pranisë së vëndit të tyre në të (jo domosdoshmërisht të djathta ekstreme), sikundër ka vënde si Norvegjia, Zvicra etj, që nuk janë në BE dhe tashmë edhe Britania e Madhe po del jashtë saj. Sa kohë alternativa jo-BE ka vokacion demokratik perëndimor, ajo mbetet reale dhe pro interesit kombëtar.
BE nuk është vetëm klub vlerash por dhe rival gjeopolitik dhe ngutja për të pranuar pa standarte vëndet e lindjes përkoi me interesin për të ngritur me ngut “gardhin” ndaj Rusisë. BE hap dyert sipas interesit dhe vetëm paniku nga Rusia dhe ndikimi oriental, bën që sot Brukseli të hedhë sytë në gadishullin ilirik dhe këtu meraku e ha për Sërbinë e dy karrikeve.
Neve? Na merr të mirëqënë teksa trumbetojmë me patetizëm mitin e konsensusit mbarëpopullor e durim-madh ndaj BE që realisht na vë në pozicion inferior ndaj Sërbisë. Por ndërsa Sërbia e tre luftrave bën përpara drejt BE, ne vetë i japim BE alibi me bollëk për të na lënë në “rradhë” pafund. Fut këtu edhe protestën e janarit.
Kursi politik anti-BE që po tentohet prej PD si rrjedhojë e kundërvënies ndaj reformës në drejtësi të sponsorizuar nga SHBA e BE nuk është një kurs alla-“Brexit” që ofron një tjetër alternativë demokratike ndaj BE duke respektuar interesin kombëtar.
Cilado qoftë arsyeja e kursit anti-BE ku ka degraduar PD (paniku nga drejtësia apo ndërhyrja e gjeopolitikave sllavo-bizantine dhe atyre orientale konservatore), sa kohë ai nuk ka për objektiv një alternativë demokratike ndaj BE, ai mbetet antidemokratik, antiliberal, antishtet dhe deri antikombëtar sepse të mbetur një “xhiro” pas Serbisë, ajo dhe Greqia do të komplikojnë integrimin tonë europian dhe atë mes shqiptarëve në rajon.
Sa kohë tek ne nuk ka platforma demokratike alternative ndaj BE dhe parti politike që të apelojnë një model të ngjashëm me atë zvicerian, norvegjez etj, BE mbetet e vetmja alternativë. E ndjejmë të gjithë dhe “pyka” e PD në janar nuk duhet lejuar t’a shndërrojë këtë konsensus në mit. I lini vetëm. Do të ishim në BE prej kohësh pa ta.