Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, dërgoi sot një mesazh alarmi të kuq mbi rreziqet që kërcënojnë botën në vitin 2018, duke bërë thirrje për unitet gjatë urimeve për Vitin e Ri.
“Kur morra funksionet, para një viti, bëra thirrje për ta bërë 2017-ën një vit paqeje. Fatkeqësisht dhe në mënyrë radikale ndodhi krejtësisht e kundërta”, thotë ai me keqardhje në një komunikatë.
“Konfliktet janë përkeqësuar dhe shumë rreziqe janë shfaqur. Kudo në botë, frika e shkaktuar nga armët bërthamore nuk ka qenë kurrë kaq e fortë që prej fundit të Luftës së Ftohtë”, thekson kreu i OKB-së.
“Ndryshimet klimatike janë më të shpejta se sa ne dhe pabarazitë vazhdojnë të jenë më të forta, me shkelje të rënda të të drejtave të njeriut”, vazhdoi ish-kryeministri portugez duke shprehur keqardhje për rritjen e nacionalizmave dhe ksenofobisë.
“Problemet po bëhen planetarë ndërkohë që personat mbyllen në vetvete”, vazhdon ai.
“Ne mund të zgjidhim konfliktet, të tejkalojmë urrejtjen dhe të mbrojmë vlerat tona të përbashkëta. Por ne duhet të jemi të bashkuar për të arritur këtë”, vlerësoi shefi i OKB-së.
“Uniteti është rruga që duhet të ndiqet, e ardhmja jonë varet nga kjo”, theksoi në fund Antonio Guterres, duke i bërë thirrje krerëve të botës që të rikthejnë besimin duke bashkuar popujt rreth objektivave të përbashkëta./b.d