Ish-shefi i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), Osman Levanaku është ndaluar në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës, teksa po ikte në drejtim të Strugës për festën e ndërrimit të vitit. Ndalimi i Levanakut është bërë me urdhër të policisë pasi akuzohet për kundërshtim të uniformave blu gjatë protestës së opozitës në 18 dhjetor përpara Parlamentit.
Ndërkohë, i kontaktuar nga Report Tv, Levanaku nga qelitë e Qafë Thanës u shpreh se ka marrë pjesë në një protestë të ligjshme, ndërsa ka shtuar se gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë në Tiranë, por nuk është thërritur nga policia. Levanaku mohon të ketë ushtruar dhunë ndaj policisë. Ai thotë se ndalimi i tij është hakmarrje politike.
“Kam qenë gjatë gjithë kohës në Tiranë, s’më ka kontaktuar kush. Nëse do isha në kërkim mund të më gjenin kollaj. Po ikja për të festuar Vitin e Ri në Strugë, kisha prenotuar mbrëmjen e sotme. Ndalimi im është hakmarrje politike. Protesta ishte e ligjshme, kam marrë pjesë në një protestë të ligjshme dhe s’kam dhunuar njeri”, u shpreh Levanaku.