Autoritetet shqiptare në bashkëpunim me ato italiane kanë finalizuar me sukses mbrëmjen e kësaj të shtune një operacion antidrogë, duke kapur një gomone me marijuanë, në bordin e së cilës ndodheshin 3 shqiptarë.
“Pas një hetimi të gjatë dhe informacionesh operative të marra dhe shkëmbyer midis Policisë Shqiptare dhe Policisë Italiane, falë koordinimit të veprimeve mes dy policive rreth orës 20.00 u finalizua operacioni antidrogë i përbashkët ku u ndalua dhe u sekuestrua një gomone në zonën e Salentos, mes San Cataldo dhe Sant’Andrea (Provincia di Lecce)”, sqaron policia në një njoftim të sajin.
Avioni i Guardia di Finanza është vënë në ndjekie të gomones në ndihmë të njësive detare të Guardia di Finanza të Pulias që e kanë bllokuar në pjesën e poshtme të Adriatikut dhe në bordin e saj janë ndaluar tre shqiptarë.
Sipas policisë, gomonia rreth 9 metra me dy motorë të fuqishëm fuoribordo ishte e ngarkuar me marijuanë. Sasia e lëndës narkotike ende nuk dihet pasi nuk është peshuar akoma. Policia shqiptare thotë se për shkak të sekretit të hetimit me palën italiane, nuk mund të japë detaje të mëtejshme.
a.ç