Emisioni “JAVA” në RTSH ka pasur si pjesë të parë të diskutimit, përplasjen në distancë mes Edi Ramës dhe Ilir Metës me deklaratat e tyre në ekrane.
Analisti Preç Zogaj tha sonte se Shqipëria duhet të merrte një vendim të konsultuar për votën në OKB. Sipas Zogaj, duhet të ishte përfshirë jo vetëm Presidenti, por edhe partitë e tjera politike.
“Sa i përket mënyrës sesi formulohet një vendim kaq i rëndësishëm, mendoj se nuk është qeveria padrone e qëndrimit që do mbahej në OKB. Duhet të përfshihej Presidenti dhe kreu i Opozitës. Opinioni publik shqiptar është shumë pro amerikan” – tha Zogaj.
Ndërkohë që sipas Lorenc Vangjelit, marrëdhëniet mes Presidencës dhe Kryeministrisë kanë qenë gjithmonë të tendosura. Ai bëri një rezyme të marrëdhënieve që prej presidentit të parë, Sali Berisha dhe kryeministrat në vijim.
“Marrëdhënia më e ulët kulmoi mes Bamir Topit dhe Sali Berishës” – tha analisti Vangjeli.
***
Ndërkohë në pjesën e dytë të emisionit, paneli i analistëve ka komentuar marrjen e nënshtetësisë shqiptare nga Kryepeshkopi Anastas Janullatos.
I ftuar në emision ka qenë studiuesi Ermir Gjinishi. Ish-nënkryetari i Komunitetit Mysliman tha në studion e “JAVA në RTSH” se shqiptarët kudo që jetojnë kanë pasaportat e vendit ku janë. Ai e cilësoi dhënien e pasaportës shqiptare Janullatos diçka pozitive.
“Çkuptim ka që një personazh si Janullatos duhet të priste 25 vjet? Janë pikërisht ngarkesat emocionale që kemi ne si popull. Ne kemi qasje negative në disa raste. Kryepeshkopi nuk erdhi në Shqipëri si përfaqësues i kishës greke. Siç kanë ardhur dhe klerikë të tjerë të huaj që nuk janë shqiptarë” – tha Gjinishi.
Ai e cilësoi Anastas Janullatosin si një figurë akademike, duke i bërë edhe një profil për angazhimet e Kryepeshkopit në publicistikë dhe si pedagog.
***
Artan Hoxha deklaroi në pjesën e tretë të emisionit “JAVA” se Florenc Beqiraj ka pranuar të kthehet në Shqipëri me dëshirë.
I riu që humbi jetën në Marsejë, tha Hoxha, pritej të ktheje më 15 Dhjetor në atdheun e tij.
“Mungesa e hetimit nga pala shqiptare tregon sesi shteti ynë i trajton shtetasit e vet” – tha Hoxha.
Duke folur për zgjedhjen e Arta Markut, gazetari investigativ tha se pritet të lëvizin të gjithë prokurorët e rretheve.