Pronarët e kompanisë GOMG Holdings Ltd- Harry Sargent III dhe Mustafa Abu Naba’a, kanë shitur aksionet e tyre në kompaninë Ionian Refining and Trading Company, IRTC, e cila menaxhon nëpërmjet një kontrate qiraje rafinerinë e Ballshit.
Nga Besar Likmeta
COGM Holding LTD njoftoi të premten nëpërmjet një njoftimi për shtyp se paketa e saj minoritare në kompaninë IRTC, i ishte shitur partnerëvë të saj vendorë, pa specifikuar se kush ishin këta të fundit.
‘Që nga maj 2017 dhe nënshkrimi i një memorandumi mirëkuptimi për shitjen e aksioneve, zoti Sargent dhe Abu Naba’a nuk janë përfshirë në asnjë vendim të bordit të IRTC-së, dhe vendimet e përdtishme janë bërë nga partnerët vendorë,” shkruhet në deklaratën e GOMG Holdings Ltd, duke shtuar se shitja e paketës se aksioneve sillte në një linjë “pronësinë dhe menaxhimin e kompanisë.”
“Z Sargent dhe Z. Abu Naba’a janë të trishtur teksa dëgjojnë lajmet mbi vështirësitë e tanishme në Ballsh, po kanë kohë që janë tërhequr nga roli menaxhues,” shtoi deklarata.
IRTC, e regjistruar fillimisht në ishujt Virgjin Britanikë, kishte në krye të Këshillit Mbikqyrës Mustafa Abu Naba’a- biznesmen domenikan i njohur në arenën ndërkombëtare të tregtisë së naftës.
Harry Sargeant është zv/president i i kompanisë Global Oil Management Group Ltd, një korporatë ndërkombëtare në fushën e naftës me bazë në Florida. Sargeant, i cili vlerësohet se ka një pasuri mbi 2 miliard USD, u shfaq si përfaqësues i grupit investitor në rafinerinë e Ballshit shtatorin e shkuar, gjatë inspektimit që i bënë rivënies në punë të uzinës nga ministri i Financave Arben Ahmetaj dhe ministri i Bujqësisë Niko Peleshi.
Ndërkohë që prej dhjetorit 2016, administratori i IRTC në Shqipëri është emëruar Mitat Sulaj, vëllai i pronarit të kompleksit ‘Taiwan’ në Tiranë, Besnik Sulaj.
Një vit pas marrjes me qira të rafinerisë së Ballshit nga Banka Credins, IRTC gjendet në vështirësi financiare.
Punonjësit e rafinerisë prej më shumë se një jave, kanë mbajtur protesta në Ballsh, Fier dhe Tiranë duke kërkuar shlyrjen e pagave të papaguara nga IRTC.
Naftëtarët kërkojnë t’u paguhet rroga e nëntorit, ndërsa një pjesë e tyre kanë rroga të prapambetura prej mbi një viti nga uzina e përpunimit të naftës. Punëtorët thonë se rrogat e tyre të papaguara nuk njihen nga administratori aktual i uzinës dhe se ata mendojnë se prej shumë muajsh sigurimet e tyre nuk janë paguar.
Një pjesë e naftëtarëve janë në proces gjyqësor për të marrë rrogat e shkuara, por vendimet e gjykatave marrin kohë për t’u konkluduar dhe në shumë raste nuk gjejnë ekzekutim.
Naftëtarët janë aktualisht pa punë, ndërsa kompania administruese IRTC tha për BIRN më herët se shkaku i mosdhënies së rrogave është mungesa e naftës bruto, e cila ka sjellë mbylljen e rafinerisë.
Kjo mungesë vjen për shkak se IRTC nuk ka arritur të sigurojë naftë bruto nga prodhuesi kryesor i naftës bruto në Shqipëri, Bankers Petroleum, por një zyrtar i Bankers i tha BIRN se kjo kompani nuk mund të furnizojë naftë te rafineria pa marrë pagesat.
Të dy rafineritë e vendit, ajo e Ballshit dhe ajo e Fierit, përbënin një ndërmarrje fitimprurëse të shtetit shqiptar deri në vitin 2008, e aftë për të mbuluar deri në 25% të konsumit vendës të nënprodukteve të naftës. Rafineritë hynë në kriza të përsëritura pas privatizimit në vitin 2008.
Një investigim i vitit 2016 nga BIRN zbuloi se si biznesmeni Rezart Taçi përvetësoi qindramilionë dollarë ndërkohë që institucionet e shtetit qëndronin pasivë përballë borxheve në rritje.
Në shtator 2016, qeveria aktuale bekoi në një ceremoni të veçantë atë që e shpallën si një marrëveshje private me një grup biznesmenësh për të rivënë në punë rafineritë. BIRN zbuloi më pas se shteti shqiptar lejoi shitjen e paligjshme të ARMO-s te Banka Credins, e cila më pas ia dha në përdorim kompanisë IRTC.
ma.me