Nga Mero Baze
Ka një reagim propogandistik të zyrës se presidentit ndaj një lajmi të Lapsi.al, pse ky portal thotë se ka parë korespondencën e Ministrisë së Jashtme me Presidencën, lidhur me qëndrimin e Shqipërisë ndaj çështjes së zhvendosjes së kryeqytetit izrealit në Jeruzalem.
Raporti i Lapsit është i besueshëm dhe ka parasysh institucionin e presidentit, ndërsa zyra e presidentit flet për njoftim personal të presidentit ilir Meta.
Por përtej banaliteti të përmbajtjes, ky debat është në të vërtetë vazhdim i këmbënguljes së Presidencës për t’u dukur e “pafajshme” për votimin në OKB.
Dhe ky mendoj se është një debat më i madh se sa “sherri” për korespondencën diplomatike mes presidentit dhe qeverisë.
Ky është vazhdim i letrës së hapur të presidentit, i cili mendon se presidenti Trump, tani e tutje duhet të njohë një Jeruzalem si kryeqytet të vetëm për Izraelin, dhe dy Tirana si kryeqytete, njërën për opozitën, dhe njërën për shumicën.
Problemi është nëse kthehemi në kushtet që ka prodhuar në mendje Presidenca, dhe supozojmë një skenë të tillë.
Edi Rama i ka kërkuar takim Ilir Metës dhe i ka thënë se duhet të votojmë në këtë mënyrë në OKB, si vendet e Bashkimit Europain dhe NATO. Ilir Meta do t’i thoshte jo. Edi Rama do dilte jashtë dhe do votonte siç votoi.
Ky që kërkohet është një debat etik, dhe bëhet në një klasë politike, që respekton etikën e shtetit, jo në një klimë që për hir të pushtetit mund t’i vënë kazmën shtetit.
Një konsultim politik bëhet po ashtu për t’i ruajtur fytyrën shtetit dhe jo për t’i nxjerrë bojën, siç po ndodh rëndom në këtë histori.
Ajo që është e sigurtë nga ana konstitucionale, është që ne nuk jemi Republikë presidenciale, por parlamentare, dhe debatet për politikë të jashtme, dhe sidomos vendimet e politikës së jashtme, merren në Kuvend dhe nuk kanë lëvizur kurrë nga linja shtetërore.
Por në këtë rast debati nuk kërkohet për konsensus, biles nuk është kërkuar fare, por është pritur të votohet që të kthehet në debat.
Ai tani përmendet vetëm si një arsye për të bërë një letër paradhënie si kjo që u bë pas votimit. Pra, është thjesht një këmbëngulje për të mbajtur gjallë një debat qesharak, që një pjesë e njerëzve që rrethojnë Ilir Metën, mendojnë me deliret e tyre, se ky është tuneli që mund t’u tregojë dritën në fund, pasi do t’i kthejë në “vullnetarë” të presidentit Trump.