I ftuar në emisionin “Top Story”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka komentuar votimet e fundit në Këshillin Bashkiak, ku disa nga këshilltarët e LSI-së votuan pro projekteve të propozuara. Ai u shpreh se bëhet fjalë për vendime individuale të këshilltarëve të LSI-së, ndërsa theksoi se ajo që ishte jo e zakontë në këto mbledhje kishte të bënte pikërisht me mosmbajtjen e fjalës nga ana e LSI-së dhe një lloj koordinimi i grupimeve të tjera në Këshill për të bllokuar vendimmarrjen. Në këtë sens Veliaj ka bërë edhe dallimin mes LSI-së që drejtohej nga Meta dhe asaj të tanishmes që drejtohet nga Kryemadhi. Sipas tij, Meta ishte një njeri që i qëndronte fjalës, ndryshe nga bashkëshortja e tij. Veliaj ka folur edhe për zgjedhjet e ardhshme për kryetar të Bashkisë së Tiranës, duke deklaruar se koalicionin e ri opozitar do ta ketë përballë.
Më poshtë pjesë nga intervista e Veliajt:
Ju vini me një bilanc që duket në rrugët e qytetit, në faqet e mediave të huaja, por nuk i keni shpëtuar ama sherreve lokale në Shqipëri. Vini nga një mbledhje e Këshillit Bashkiak ku si gjithmonë e kaloni buxhetin, por në këto mbledhjet e fundit keni një veçori, kaloni të gjithë projektet tuaja dhe merrni gjithmonë plus një votë. Kësaj radhe morët një tjetër votë, sërish nga Lëvizja Socialiste për Integrim në kulm të një sherri në shkallë kombëtare si ai që ne pamë në sallën e Parlamentit dhe jashtë…
Këto kanë qenë vendime individuale të këshilltarëve. Ajo që unë kam bërë apel gjatë gjithë këtyre viteve është për sa më shumë konsensus, për sa më shumë bashkëpunim. Pse duhet të debatojmë ne?! A duhet apo jo këndi i lodrave edhe pse e filluam me një sherr të madh?! A duhet apo jo sheshi “Skënderbej”?! Duhet apo jo Pazari i Ri, duhen apo jo 17 shkolla për Tiranën, duhen apo s’duhen 4 mijë biçikleta të reja në Tiranë, duhet apo s’duhet transporti i autobusëve elektrikë, duhen apo s’duhen investimet në ujësjellës?! Ajo që gjykoj është se si në Parlament dhe në Këshillin Bashkiak nuk po konturohen parti politike, por dy grupime politike, një grupim që do të bëjë gjëra dhe kjo gjë mund të jetë qoftë Reforma në Drejtësi, qoftë këndi i lodrave apo shkollat e reja dhe një grupim që thjesht nuk do të bëjë asgjë. Këto grupime mund të kenë një ose disa parti politike brenda në secilin grupim. Kështu që ajo që shoh të përfaqësuar politikisht janë dy filozofi: Filozofia që “Po, Shqipëria bëhet, Tirana bëhet dhe mund të ecim përpara” dhe një tjetër që thotë “Jo, s’bëhet, s’kalojmë as buxhet, as reformë, as projekte”. Në këto dy mentalitete, në këto dy filozofi unë kam bërë një thirrje të hapur: Kush e ndjen që ky qytet duhet të ecë përpara, duhet të vazhdojë me të pestin, duhet të mbajë kohën e humbur, duhet të ruajë këtë reputacion që siç e thatë ju, e ka vënë re gjithë media ndërkombëtare, këtë frymë pozitive, këtë qëndrimin që po more, ne mund t’ia dalim, ne shqiptarët kur bëhemi bashkë bëjmë mrekulli siç kemi bërë në Tiranë këto dy vjet. Ndaj edhe them që kanë qenë vendime individuale, aspak të koordinuara.
Sepse duket sikur edhe nuk keni më nevojë për vota apo jo?
Tani jo më, por ajo që ka qenë e koordinuar në fakt ka qenë e kundërta. Në mbledhjet e para ne e kishim të koordinuar që pavarësisht se çfarë ndodh në politikën e madhe, Tiranës do t’i japim mbështetje. Pra ne i kishim të koordinuara votat unblock të koalicionit tonë origjinal.
Me LSI-në?
Po, po. Ajo që ishte habi ishte mosdhënia e votës dhe jo dhënia e votës nga 1,2,3 dhe tani 4 këshilltarë. Pra mosdhënia e votës në grup kur ishte dakordësuar vota në grup.
Ju duket normale që edhe në raport me partinë tuaj, pra me mazhorancën në nivel kombëtar, kjo lloj aleance të vazhdojë?
Momentalisht nuk e kemi këtë lloj aleance në Tiranë. Është dorëhequr nënkryetarja e bashkisë të cilën e falënderova publikisht dhe privatisht, një kolege shumë e mirë. Janë larguar po ashtu administratorët, pra të emëruarit politikë të LSI-së…
Por ama ka ende?
Në këtë fazë jo më. I falënderova katër administratorët e fundit, kam pasur një bashkëpunim të shkëlqyer. Partia e tyre mori atë vendim që mori aman ‘the shoë must go on”, shfaqja duhet të vazhdojë, puna duhet të vazhdojë, Tirana duhet të vazhdojë. Kështu në këtë sens ndihem i keqardhur. Po, unë me këta njerëz isha bashkëpunëtorë, isha bërë shok, ishim miq, hynim dhe dilnim në shtëpinë e njëri-tjetrit. Pra unë kur krijoj një skuadër, nuk vazhdoj edhe paragjykoj ekipet e tjera ku ka luajtur ky lojtar më përpara. Në momentin që është te ky ekip, te kjo 11, ne e kemi mendjen te goli. Pra kisha krijuar në këtë bashki dhe e kam këtë marrëdhënie me stafin, si një familje. As e mendoj teserën e partisë kur dikush është pjesë e kabinetit politik. Kështu që ajo parti mori këtë vendim, por siç thashë, shfaqja duhet të vazhdojë, Tirana duhet të vazhdojë zhvillimin.
Ajo që është për t’u habitur është jo katër këshilltarë me ndërgjegje pozitive për qytetin që votuan dhe që janë bashkuar tani me grupin socialist, ajo që është për t’u habitur është mosmbajtja e fjalës e cila duhet ta pranojmë, nuk ndodhte në kohë të Ilir Metës. Në qoftë se Ilir Meta thoshte “po është po”, në qoftë se thoshte “jo është jo” dhe qëndronte “Po”-ja dhe “Jo”-ja siç ishin thënë në fillim. Ndërkohë fatkeqësisht nuk ka vazhduar kështu dhe…
Me zonjën Kryemadhi…
Kemi dakordësuar, po për të vazhduar punët në Tiranë. Në momentin që është zbuluar që një anëtar i këshillit ka qenë sëmurë ose ka qenë jashtë Shqipërie për një nevojë, menjëherë “Po”-ja është bërë “Jo” sepse është parë si një moment oportun për të rrëzuar Kryetarin e Bashkisë.
Kjo nuk është bashkia ime, kjo nuk është zyra ime, është zyra e qytetarëve të Tiranës. Nga kjo zyrë sigurisht merren vendime, por kjo të paktën për mijëra fëmijë që kanë hyrë në këtë zyrë vetëm gjatë periudhës së festave kanë kuptuar që ky është ambienti më i hapur i këtij qyteti kur vjen puna për të mirën e këtij qyteti. Kështu që të sabotosh këtë zyrë nuk është sabotim ndaj meje, është sabotim ndaj punës që po ecën në Tiranë. Megjithatë unë e mirëkuptoj. Janë në një situatë të re politike, nuk mbaj mëri, thjesht do të preferoja “fair play”. Me Ilir Metën kishte “fair play” kur drejtonte partinë, “Po”-ja ishte “Po”, “Jo”-ja ishte “Jo”.
Pra, ju thoni që me LSI-në situata edhe në nivel lokal po shkon drejt njëjtësimit me atë në nivel kombëtar?
Sokol unë nuk jam naiv, pra unë jam çun i mirë, unë flas thjesht meqë një pjesë të madhe të punës flas me njerëz që mund të jenë fëmijë ose mund të jenë nxënës, ose mund të jenë të një niveli, pra jo të gjithë në Tiranë kanë mbaruar master dhe universitet. Ca gjëra duhen thënë thjesht, por unë naiv nuk jam. Pra unë nuk pres apo nuk e gënjej veten me iluzionin se partitë që shfrytëzonin çdo moment dhe çdo cedim të vogël në Këshill Bashkiak për të më rrëzuar do t’i kem përkrah në fushatë. Unë këtë e kuptoj. Kështu që jam i përgatitur të shkoj në një fushatë me koalicionin opozitar përballë dhe sa të kem unë fuqi, sa të kem unë energji dhe sa të kem unë vendimmarrje, fryma e fushatës sonë do të jetë vetëm pozitive për qytetin. Unë nuk mbaj asnjë mëri, dua vetëm që Tiranës t’i shkojë puna mbarë siç i ka shkuar deri tani. Pra jam shumë i qartë kë kam përballë dhe që do i kem të gjithë përballë në këtë betejë dhe siç thashë, nuk është punë partish, kjo është punë mentalitetesh. Pra një mentalitet që nuk do të bëhet asgjë, as të kalojë buxheti i Tiranës, as të kalojë Reforma në Drejtësi, as të kalojë buxheti i qeverisë, as të kalojnë projektet e mëdha, as të bëhen shkollat dhe një grup tjetër që thotë, ore do t’i bëjmë të gjitha këto se kemi humbur shumë kohë, nuk kemi më kohë për të humbur, duhet t’i fusim të pestin. Kështu që për këtë jam i qartë dhe jam i qetë. Kështu që për një vit e gjysmë do të jem në fushatë me të gjithë ata që duan që Tirana të ecë përpara dhe që besoj është përtej Partisë Socialiste i gjithë koalicioni i qytetarëve që do që Tiranës t’i venë punët mbarë.
Përtej të majtës dhe të djathtës edhe ju?
Absolutisht. Ne patëm një palë zgjedhje përtej të majtës dhe të djathtës, ne jemi votuar në zona si njësia 8, Lapraka, njësia 11, pra ne në zgjedhjet e fundit nuk fituam vetëm Bashkinë e Tiranës, ne fituam me rezultat në të 24 njësitë e Tiranës. Pra në zgjedhjet e fundit ne kemi fituar 24 me 0 në Tiranë kështu që këto vota na erdhën edhe përtej të majtës, se ndryshe do të ishim në rezultatet e vjetra… Unë Po përgatitem për një fushatë shumë serioze, duke i patur këto dy parti kundra. Besoj e kam treguar që jam një njeri që i marr gjërat shumë seriozisht. Unë marr shumë seriozisht edhe një 3 vjeç në kopsht që thotë, lali Eri dua të them diçka. Pra, unë e kam treguar që jam njeri serioz, përveç le të themi kësaj alegrisë dhe optimizmit që i japim qytetit i marr gjërat shumë seriozisht. Ku sigurisht edhe në këtë fushatë nuk do t’i fus një mendje të lehtë duke parë parasysh numrat, por do mobilizohem shumë fort për një fushatë serioze sepse besoj tek misioni i Tiranës. Po të mos të besoja tek ky mision, shkoja bëja një punë tjetër, por unë e besoj këtë mision, unë zgjohem me këtë ide fikse në mëngjes, fle me këtë ide në darkë, mobilizohem gjithë ditën që ky qytet të avancojë më shumë sot, seç ishte dje. Edhe këtu në bashki thuhet si batutë, por unë kam thënë, kjo pulë duhet ta bëj një vezë përditë dhe nuk e di si, por ne një punë konkrete do ta prodhojmë përditë. Kjo mund të jetë një mbjellje, një çerdhe, një kopsht, një korsi, një lulishte, një kënd lodrash, nuk ka rëndësi. Kështu që do të vazhdoj me këtë frymë deri ditën e fundit dhe për të gjithë njerëzit që kanë një iluzion, unë punoj çdo ditë sikur është një fushatë.