I ftuar në Tonight Ilva Tare, Ipeshkvi i Rrëshenit, Dom Gjergj Meta i ka bërë thirrje të gjithë shoqërisë por në veçati pronarëve të kompanive të mëdha të jenë më shumë solidarë me punonjësit e tyre.
Ipeshkvi këroi që pronarët të lëshojnë pak nga pasuria që fitojnë duke u bërë më solidarë dhe duke ofruar më shumë harmoni në ambientin rreth tyre. Për këtë, Dom Gjergj Meta mori shembull gratë që punojnë në fasoneri, të cilat nuk paguhen sa duhet, gjë që i rrezikon pensionin në vitet e mëvonshme
Shumë shfytëzohen, gra dhe burra, të cilët nuk paguhen me siguracione, që nesër nuk do të kenë një pension. Atëherë solidariteti është ky, që ai i cili ka marrë njerëz në punë t’u garantojë atyre dinjitetin për të ardhmen. Të pyesë:
“Ti zotëri që po vjen në punë tek unë, sa fëmijë ke?
– Unë kam 5 fëmijë.
– Për sa ke nevojë ti që të mbash shtëpinë tënde?
– Unë kam nevojë për kaq.”-
Atëherë i duhet ardhur në ndihmë personit. Një person që ka një sipërmarrje mund të thotë:
-“Shiko, unë kaq kam mundësi për të të dhënë, “take or leave”, merre ose lëre, nuk kam mundësi më shumë.”
Por ama, nga ana tjetër, i njëjti sipërmarrës mund të ketë një logjikë solidare, që mund të fitojë më pak por krijon më shumë solidaritet rreth vetes.
Misioni i çdo njeriu me një rol publik sipas Dom Gjergj Metës, është të luftojë për të ruajtur dinjitetin e njeriut. Në këtë kohë të vështirë politike dhe ekonomike, Dom Gjergji zgjodhi dhe kryefjalët e vitit 2018, që është fjala shpresë, të cilën ia uroi të gjithë shqiptarëvë.
Çdo njeri ka një dinjitet të patjetërsueshëm, një dinjitet të jashtëzakonshëm. Atëherë, unë mendoj që misioni i ynë, të gjithëve, qoftë i i mi që kam një rol publik apo edhe i të tjerëve, por edhe si person publik, është ky, që, t’i kthejmë dinjitetin njerëzve.
Në mos në këtë vendin tonë që përjeton një konfliktualitet politik të tejzgjatur i cili nuk na nderon dhe nuk na ndihmon aspak, kemi problemin e madh të korrupsionit, kemi problemin e madh të kultivimit të lëndëve narkotike, kemi probleme mosmarrëveshjesh ndërmjet faktorëve politikë të cilët krijojnë tek njerëzit një mosbesim të jashtëzakonshëm, atëherë ajo që unë do të doja është që të kthenim pak shpresë dhe të kthenim pak dritë tek njerëzit sidomos tek pjesa më e madhe e njerëzve të këtij vendi që kanë nevojë për pak dritë.
Do doja që fjala e vitit 2018 të ishte fjala “shpresë”. Nuk e di, mund të jetë hapja e negociatave, mund të jetë përmirësimi i ekonomisë së këtij vendi, mund të jetë diçka, nuk e di. Unë do të doja që shqiptarët të thonin: – “Po, këtë vit kemi pak shpresë.” Ky është urimi im për shqiptarët në këtë vit.