Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar përfundimin e 11 javëvë të aksionit antiinformalitet dhe si çdo javë ka dhënë informacionin e përditësuar lidhur me shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, ecurisë së procesit të faljes, rezultateve të kontrolleve të bizneseve etj.
Sipas tatimeve, ka vijuar procesi i fshirjes automatike i detyrimeve për periudhën përpara viteve 2010 dhe kompensimi me kredi si për periudhën përpara vitit 2010 dhe atë 2011-2014.
Si rezultat i këtij procesi shuma e detyrimit të falur ka arritur në 18.4 mld lekë (rreth 135 milionë euro) dhe përdorimi i kredisë për shlyerjen e detyrimeve në nivel principali është në vlerën 1.86 mld lekë. Gati 30 mijë tatimpagues kanë përfituar dhe ky proces vijon ende deri në fund të vitit.
Ka vijuar sensibilizimi për të mundësuar mbledhjen e detyrimeve të prapambetura, ku gjatë kësaj periudhe numri i subjekteve që kanë reaguar pozitivisht është 3,193 dhe vlera është 2.6 mld lekë.
Strukturat e zbatimit kanë vijuar me verifikimet në territor. Tatimet njoftojnë se janë verifikuar 26,618 subjekte ku 20% e tyre kanë rezultuar me shkelje dhe janë penalizuar.
Janë futur në skemën e sigurimeve gjatë 11 javëve të para të aksionit 1003 punonjës që janë konstatuar të padeklaruar dhe janë mbylluar 557 subjekte të paregjistruar në organet tatimore dhe për shkelje të tjera për moslëshim kuponi për herë të dytë.
Janë regjistruar 5254 subjekte të reja.
Për 11 javët e para të fushatës është mundësuar përfundimi i 16,739 kontrolleve (kontrolleve nga zyra, vizita fiskale apo verifikime në terren). 1,567 subjekte kanë ndryshuar përgjegjësinë tatimore.
Kontrollet nga zyra përbejnë 69% të totalit.
Tatimet njoftuan edhe se Shërbimi i tatimpaguesit ka asistuar ballë për ballë 66,647 tatimpagues. 11,586 është numri i tatimpaguesve të kontaktuar për ligjin e faljeve.
Mbi 30 mijë tatimpagues janë kontaktuar për të nxitur vetëkorrigjimin.
Janë organizuar 86 takime me komunitetin e biznesit në territor.
Qëndra e thirrjeve ka vijuar të ofrojë shërbimet në numrin e vënë në dizpozicion për çdo problematikë dhe suport ndaj çdo tatimpaguesi duke asistuar rreth 17,487 telefonues si dhe përdorues të live chat.