Eksperti amerikan për çështjet e Ballkanit, Janusz Bugajski, tha se nuk beson se vota e vendeve që u shprehën pro rezolutës do të ketë ndonjë efekt mbi këto vende.
Shtetet e Bashkuara, tha ai, nuk mund të ndëshkojnë tërë ato vende që votuan pro, sidomos vendet myslimane.
Zoti Bugajski tha se deklaratat amerikane më tepër se një kërcënim janë një paralajmërim. Për shembull, SHBA mund të shkurtojnë ndoshta kontributin e tyre ndaj Kombeve të Bashkuara në tërësi. Por nuk mendoj, tha zoti Bugajski, se do të kishte pasoja në kuptimin e marrëdhënieve dypalëshe me vendet që votuan kundër Shteteve të Bashkuara.
“Çdo marrëdhënie dypalëshe, – tha ai, – do të shqyrtohej në bazë të meritës së saj dhe jo në bazë të një vote të vetme në OKB.”
Lidhur me argumentin e ministrisë së Jashtme të Shqipërisë se Shqipëria votoi në linjat e Bashkimit Evropian, zoti Bugajski tha se ky argument nuk është dhe aq bindës, sepse nuk ekziston një qëndrim i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe në fakt disa vende të BE-së abstenuan: Polonia, Hungaria, Rumania e të tjera.
Pavarësisht nga qëndrimi i BE-së, tha eksperti, ky ishte një votim më tepër simbolik. “Megjithatë, – tha ai, – SHBA vëzhgojnë se cilët vende e mbështesin në kohë të vështira, prandaj, qëndrimi më i mirë për Shqipërinë do të kishte qenë që ajo të kishte abstenuar.”
Reagimi i DASH
Ndërkohë, Departamenti amerikan i Shtetit reagoi duke thënë se mënyra se si kanë votuar vendet e ndryshme nuk është i vetmi faktor që administrata amerikane do të mbante parasysh në marrëdhëniet e SHBA me vendet që zgjodhën të votojnë pro rezolutës.