Duket se problemet e naftëtarëve të Ballshit nuk do të marrin zgjidhje kurrë. Teksa ata luftojnë prej kohësh për të marrë 12 paga të prapmbetura, problemet në uzinën e naftës janë rikthyer dhe ata nuk kanë marrë pagën e nëntorit ndëkrohë që nga kompania kanë deklaruar se nuk kanë para pasi puna është ndalur prej 2 javësh.
Situata e vështirë e krijuar për familjet e 1 mijë naftëtarëve, që sjell ndikim në gjithë ekonominë e qytetit të vogël të Ballshit, është trajtuar edhe në analizën vjetore të Sindikatës së Industrisë, pjesë e KSSH.
Kreu i Konfederatës së Sindikatave Kol Nikollaj i bëri thirrje qeverisë të reagojë, pas situata e këtyre fmailjeve është tejet e rënduar. Këto fmailje sipas tij, përveçse kanë 12 paga të prapambetura të pashlyera, nuk kanë marrë as pagat e nëntorit.
“Sot dua të përfitoj nga rasti t’i bëj apel qeverisë Rama të kthejë sytë nga naftëtarët e Ballshit, të cilët kanë rreth 12 paga të prapambetura pa marrë, konkretisht korrik 2015-korrik 2016”, u shpreh Nikollaj.
Konfederata i Sindikatave i bën apel ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, dhe kryeministrit Rama që të gjejnë një zgjidhje për problemin e naftëtarëve të Ballshit, pasi në të kundërt parashikohen protesta. Ai ka rikujtuar edhe protestat e Bulqizës të mbajtura para disa vitesh si dhe grevën e urisë zhvilluar në galeritë e minierës.
Në të njëjtën linjë ishte edhe kreu i Sindikatës së Industrisë, Taf Koleci.
Ai i kërkoi mazhorancës dhe opozitës të gjejnë gjuhën e përbashkët për statusin minatorit, ndërsa i kërkoi LSI-së të mos abuzojë me këtë çështje për përfitime ditore politike. Pasi u ndal tek çështja e statusit të minatorit, Nikollaj u shpreh se qeveria Rama duhet të trajtojë me seriozitet kërkesat e Sindikatës për kontrata kolektive dhe rritjen e pagën minimale./a.m.