“Këtë nuk kemi për ta harruar”. Ambasadorja Amerikane në OKB, Nikki Haley iu kthye kërcënimeve në votimin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku me një shumicë dërrmuese votash, u miratua rezoluta kundër njohjes së Jeruzalemit si kryeqytetit i Izraelit nga SHBA.
Me këtë akt kolektiv sfide, Asambleja injoroi kështu hapur paralajmërimet e administratës së Trumpit se kombeve që do t’i dilnin kundër, do t’iu ndërpritej ndihma financiare. Haley u kujdes të kujtonte dhe një herë se Shtetet e Bashkuara nuk do ta harrojnë këtë ditë në të cilën, siç tha ajo, u veçuan për t’u sulmuar për vetë aktin e ushtrimit të së drejtës së tyre si vend sovran.
“Ne do ta kujtojmë këtë kur të na kërkohet përsëri të japim kontributin tonë në Kombet e Bashkuara, organizmi më i madh në botë. Do ta kujtojmë gjithashtu kur shumë vende të vijnë e të na kërkojnë, siç bëjnë aq shpesh që ne të paguajmë akoma më shumë dhe të perdorim ndikimin tonë në dobi të tyre”, deklaroi ambasadorja.
Por, ministri i Jashtëm palestinez, Riyad al-Maliki e pati më herët një përgjigje dhe për këtë paralajmërim.
“Historia është ajo që regjistron emrat, emrat e atyre që i qëndrojnë asaj çfarë është e drejtë dhe të atyre që flasin gënjeshtra. Sot ne jemi kërkues të të drejtave dhe të paqes”, u shpreh ai.
Në mbyllje të votimit në OKB, 128 vende u shprehën pro rezolutës, 9 kundër dhe 35 abstenuan.
Shqipëria votoi pro saj. Në faqen e saj në Facebook, Haley përcolli një vlerësim për të gjitha shtetet, që siç tha ajo, nuk ranë pre e papërgjegjshmërisë së Kombeve të Bashkuara. Në listën e Ambasadores ishin vendosur edhe vendet që abstenuan gjatë votimit të së enjtes.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë preferoi të mos komentonte mbi vendimin e Tiranës zyrtare, por në reagimin e tij mbi votimin në OKB, misioni diplomatik i Shteteve të Bashkuara në vendin tonë mjaftohet me pohimin e përgjithshëm se “deklarata e Presidentit afirmoi realitetin e tanishëm dhe historik të Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit dhe se SHBA-ja, që pranoi kësisoj të vërtetën e thjeshtë se Jeruzalemi është qendra e legjislaturës, kryeministrit dhe Gjykatës së Lartë të Izraelit, do të vazhdojë punën e saj për paqen me shpresën se ky proces do të ofrojë rezultatin më të mirë si për popullin izraelit, ashtu dhe për atë të palestinez”.