Autoritetet më të larta të Sigurisë të Shqipërisë dhe të Kosovës janë ulur në një konferencë të përbashkët, të mërkurën, në Tiranë, për të diskutuar në lidhje me çështjet kryesore që shqetësojnë sigurinë kombëtare të të dyja vendeve, shkruan Koha Ditore.
Konferenca dyditore me temën: “Sfidat e sigurisë së informacionit në realitetin e TIK(Teknologjia e Informimit dhe e Komunikimit), e cila zhvillohet në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë Shqipëri-Kosovë, synon shkëmbimin e eksperiencave në fushën e sigurisë së informacionit, ndërsa ka në fokus mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, sigurinë dhe mbrojtjen kibernetike, etj.
Të dyja vendet, sipas pjesëmarrësve, kërcënohen nga sulmet kibernetike, ndaj është parë e nevojshme të bëhen investime të zgjuara për të parandaluar të tilla sulme. (b.an)