Festat e fundvitit janë në prag dhe për fëmijët në nevojë është stinë dhuratash. Një grup studentësh nga “Qyteti Studenti” i janë bashkuar nismës së Bashkisë së Tiranës, duke dhuruar lodra për fëmijët e qendrës sociale në “Bulevardin Zogu I”. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte së bashku me studentët në qendrën sociale ku shpërndau dhuratat dhe shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që në këto ditë festash gjejnë pak kohë për t’i shërbyer njerëzve që kanë nevojë për ndihmë e mbështetje.
“Falenderoj shumë miqtë nga Qyteti Studenti që na u bashkuan sot. Një shembull fantastik që, ashtu siç rrjetet sociale dhe smartphone-t kanë hyrë në modë, ashtu edhe solidariteti, të gjendurit pranë atyre që kanë nevojë, është po aq e rëndësishme për qytetin tonë. Ndaj, do doja t’iu falenderoj me gjithë zemër për këtë kontribut, edhe t’iu uroj shumë sukses, gëzuar festat gjithë studentëve!”, tha kryebashkiaku Veliaj.
Ai theksoi se mënyra më e mirë për këdo që do të ndihmojë dikë në situatë rruge, është që të bëhet pjesë e rrjetit të vullnetarëve apo të bashkëpunojë me qendrat sociale, pasi kështu ndihma shkon te ai që ka nevojë. “Në Bashkinë e Tiranës mundohemi të bëjmë histori, jo histeri. Do të thotë që nuk ndihmohet askush duke i dhënë para në semafor, përkundrazi ndihmohen ata që shfrytëzojnë fëmijët, jo vetë fëmijët. Fëmijët që kanë dalë nga një situatë rruge dhe janë strehuar e trajtuar në qendrën tonë sociale, ku po mbarojnë semestrin e tyre të parë, kanë mësuar vjersha, këngë, si të shkruajnë dhe të lexojnë, si të thonë të lutem dhe faleminderit, besoj që kanë rifituar jetën e tyre. Për këdo që do realisht të ndihmojë fëmijët në situatë rruge le të bëjë atë që bëjnë punonjësit tanë socialë, t’i sjellë në qendrat sociale ku ushqehen, mbathen, ku kanë një edukator dhe një edukatore që u mëson të bëhen qytetarë të dobishëm”, u shpreh Veliaj.
Ai shtoi se projekti i Bashkisë së Tiranës për të larguar fëmijët nga rruga ka qenë i suksesshëm dhe sot ata ndihen të integruar, ndërsa marrin edhe edukimin e nevojshëm për të qenë nesër qytetarë të barabartë. “Kur filluam këtë projekt përpara një viti, shumë prej fëmijëve jo vetëm që ishin të dhunuar dhe abuzuar në situatë rruge, por përkundrazi ishin kthyer në ‘bankomat’ për ata që i shfrytëzonin. Shikoni diferencën sot, si dita me natën, kanë mësuar vjersha, këngë, kanë mësuar të thonë të lutem, faleminderit, janë ushqyer dhe janë veshmbathur nga Bashkia e Tiranës. Ky është modeli që duam të promovojmë dhe do t’i lusja të gjithëve, atyre që realisht duan të bëjnë diçka dhe jo vetëm të postojnë foto e të japin mend, kjo është mënyra e duhur se si mund të ndihmojmë qytetarët në nevojë”, deklaroi Veliaj.
Kryebashkiaku u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Tiranës, që në këto ditë festash të tregohen solidarë dhe të jenë pranë njerëzve të pamundur apo në nevojë, duke dhuruar diçka apo edhe duke shërbyer për ta.
“Koha e festave është momenti për të reflektuar pak dhe siç institucionet e Bashkisë së Tiranës apo studentët që vijnë nga rrethet, gjejnë mundësinë, kanë dëshirën për të dhënë një kontribut, unë besoj se çdo qytetar i Tiranës që është në një familje mesatare e ka mundësinë të japë diçka nga e vetja. Ky mund të jetë një vakt për Krishtlindje, për Vitin e Ri, një paketë ushqimore, me veshmbathje etj. Do të doja që Tirana, siç është qyteti numër një në gjithë gjërat që bën, të jetë edhe njëshi në solidaritet dhe bamirësi në këtë prag festash”, përfundoi Veliaj. /b.d