Me ardhjen e festive të fundvitit, shumë shqiptarë preferojnë që t’i festojnë jashtë Shqipërie.
Por, një nga kushtet që duhet të plotësojnë atë që të mund të udhëtojnë jashtë pa problem me makinën e tyre është posedimi i policave të sigurimit kufitar.
Në shumë raste, shqiptarët mashtrohen nga kompani sigurimi, duke ju shituar atyre sigurime false.
Për të parandaluar këtë gjë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes kur blejnë një të tillë.
Në njoftimin për mediat të AMF-së, bëhet me dije se që prej datës 1 nëntor 2017 shitja e policave të sigurimit kufitar bëhet nëpërmjet raportimit të tyre në kohë reale përmes regjistrit elektronik të sigurimeve të detyrueshme motorike.
Po ashtu, ky institucion sqaron se policat e sigurimit kufitar nuk mund të blihen jashtë vendit, pasi kompanive nuk u lejohet një gjë e tillë.
Për këtë arsye, AMF bën me dije se çdo policë e sigurimit kufitar që mund t’iu ofrohet pa hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë apo që është e plotësuar me shkrim dore dhe jo me mjete elektronike, ju ofrohet në kundërshtim me rregullat e legjislacionit shqiptar e si e tillë është e pavlefshme.
Njoftimi i AMF
Qytetarë kujdes! Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare sjell në vëmendjen Tuaj se që prej datës 1 nëntor 2017 shitja e policave të sigurimit kufitar bëhet nëpërmjet raportimit të tyre në kohë reale përmes regjistrit elektronik të sigurimeve të detyrueshme motorike.
Gjithashtu personat e miratuar nga AMF për llogari të shoqërive të sigurimit për shitjen e policave kufitare nuk mund ta kryejnë këtë veprimtari jashtë territorit të Shqipërisë.
Për këtë arsye çdo policë e sigurimit kufitar që mund t’iu ofrohet pa hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë apo që është e plotësuar me shkrim dore dhe jo me mjete elektronike, Ju ofrohet në kundërshtim me rregullat e legjislacionit shqiptar e si e tillë është e pavlefshme.
Bëni kujdes! Që një policë kufitare të jetë e vlefshme, ajo duhet të figurojë në regjistrin online në faqen zyrtare të AMF-së.
Në rast se polica juaj kufitare nuk figuron në sistemin online, kontaktoni Autoritetin, nëpërmjet adresës së E-mailit ko*********@am*.al, numrit të celularit +355694060671, apo edhe mesazheve në inbox-in e faqes tonë në Facebook.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka kërkuar gjithashtu bashkëpunimin e Policisë së Shtetit dhe organeve të tjera ligjzbatuese në identifikimin e rasteve abuzive me qëllim mbrojtjen e qytetarëve.
Periudhat e fundvitit shoqërohen edhe me rritje të lëvizjeve në drejtim të Shqipërisë, prandaj duhet të tregoni kujdes me blerjen e policave të sigurimit kufitar, që të mos bini pre e abuzimeve të mundshme. /ma.me