Sistemi aktual elektoral ka penalizuar jo pak partitë e vogla, dhe shpesh herë kemi parë lëvizje të shumta që synojnë maksimizimin e rezultatit zgjedhor nga ana e të vegjëlve. Dy partitë e mëdha kanë lënë shumë pak terren për të vegjlit që madje nuk janë as pjesë e administimit zgjedhor, çka i ka bërë ata të akuzojnë të mëdhenjtë për grabitje votash.
Pozicionimi i partive të vogla nën ombrellën e të mëdhenjve ka qenë përherë plani “A”, i tyre, por nuk kanë munguar as lëvizjet e cilësuar surprizë shpesh herë. Veç LSI-së e cila ka arritur të sigurojë peshë elektorale duke u konfirmuar si pol i tretë projektet e tjera kanë rezultuar dështim.
Por duket se një projekt i ri mund të nisë për krijimin e polit të 4-t.
Një ditë më parë, “zhvillime” të reja kanë ndodhur, por kësaj here në qytetin e Durrësit, ku një sërë drejtuesish të partive politike janë takuar së bashku.
Takimin mesa duket e ka thërritur kreu i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka dhe në të kanë qenë figura të së djathtës si Dashamir Shehi, Nard Ndoka, Vangjel Dule si dhe Bamir Topi.
Një tjetër personazh që nuk shihej prej kohësh është Ben Blushi, kryetari i LIBRA-s, parti në të cilën ka patur mjaft “luhatje” pas shpërthimit të skandalit se mes Blushit dhe ish socialistes Mimoza Hafizi, dikur të pandarë, ka patur një përçarje të madhe.
Por duket se pavarësisht ndryshimeve, tavolina është ndarë në mënyrë të barabartë. Tre politikanë që mbajnë mandatin e deputetit (Nard Ndoka, Dashamir Shehi dhe Vangjel Dule, të tre dalë nga listat e PD-së) dhe 3 që kanë mbetur jashtë parlamentit (Agron Duka, Bamir Topi dhe Ben Blushi).
“Sot në Durrës pata kënaqësinë të kisha Dashin, Bamirin, Benin, Nardin dhe Vangjelin për një bilanc të vitit që po mbyllet, por folëm edhe për çfarë na pret në 2018.”- shkruante Agron Duka në rrjetin social.
Por, pyetja që ngrihet është nëse këto subjekte politike po krijojnë një pol të 4-t? Ata e dinë mirë se veç e veç pesha e tyre është e papërfillshme. Kjo lëvizje do të dukej mëse e mundshmne, nëse kemi parasysh faktin se drejtuesit e këtyre partive nuk kanë kursyer pakënaqësitë për partitë e mëdha aleate. Mbetet të presim…
Duka flet për një bilanc të këtij viti por edhe për planet në të ardhmen… mos vallë në plan do të jetë dhe një front i ri opozitar?! /b.d