Thellimi i luftës së qeverisë shqiptare kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit ka tërhequr vëmendjen e televizionit RAI UNO në Itali.
Në programin e përjavshëm TV7 të TG1, një kronikë e posaçme i është dedikuar asaj që gazetari italian Alessio Zucchini e quan “një luftë që zhvillohet deri në filizin e fundit të kanabisit”.
“Përkrah forcave shqiptare qëndron edhe Guardia Di Finanzia, të cilët fluturojnë mbi territorin shqiptar, pjesë e aksionit monitorues”-raportohet në kronikë.
Gazetari e cilëson një sukses të policisë shqiptare, asgjesimin e mbi 2 milion bimëve të kanabisit vetëm në vitin 2017.
Në prononcimin për TV7, Kryeministri Edi Rama deklaron se tashmë jemi në fazën e dytë të aksionit, duke i shkuar pas të gjithë të fortëve, për të sekuestruar pronat e tyre të paluajtshme dhe asetet financiare.
“Ata janë shumë të organizuar, ata nuk kanë burokraci, ata nuk kanë një “Komision Europian” që i kontrollon, që duhet të marrë vendime. Janë të shpejtë, të sofistikuar, kanë një fuqi të madhe mbi njerëzit e varfër, mbi njerëzit e margjinalizuar dhe ne duhet të luftojmë të gjithë së bashku”,-thotë Rama.
Kronika rikujton se trafikuesit e kanabisit nga Shqipëria kanë lidhje shumë të fuqishme nga ana tjetër e Adriatikut, për të cilët Kryeministri Rama shprehet:
“Është le të themi një shkollë të cilën këta individë e kanë bërë në Itali, janë djem të rinj që kanë kaluar nga Italia, në zonën e jugut. Jeta e emigrimit illegal, i ka bërë që të mësojnë shumë gjëra dhe të jenë pjesë e grupeve kriminale si Ndragheta, Camorra dhe pastaj e kanë ndarë punën, një pjesë është andej, një pjesë këtej. Pjesa andej realizon lidhjet me bosët e mëdhenj, këta këtu bëjnë punën e pisët dhe e nisin andej. Le të themi që është një filial i universitetit të ilegalitetit në Italinë e Jugut”.
Në anë tjetër, Kryeministri siguron se qeveria e tij ka një fond të posaçëm që financon ndërhyrje policore të këtij lloji.
Më tej gazetari sjell provat e suksesit të këtyre aksioneve. I shoqëruar nga Zëvendës Ministri i Brendshëm Julian Hodaj, ai ka vizituar një magazinë në periferi të Tiranës ku policia e shtetit ruan sasitë e sekuestruara të substancave narkotike.