Duhen të paktën 10 mijë nënshkrime që Parlamenti i Kosovës të mund ta shqyrojë mundësinë e ndryshimit të ligjit për Gjykatën Speciale. Selia e Gjykatës Speciale për krime luftë në Kosovë është në Hagë.
Në Kosovë veteranët e luftës së ish-UÇK-së, nisën nënshkrimin e një peticioni me anë të të cilit i kërkohet kuvendit të Kosovës që ta ndryshojë ligjin për Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë. Sipas veteranëve, me ndryshimet e ligjit, Gjykata Speciale duhet të merret edhe me krimet që serbët i kanë bërë në Kosovë gjatë luftës së fundit dhe jo vetëm me të dyshuarit e etnisë shqiptare për “krime të pretenduara të UÇK-së”. Procedurat rreth funksionimit të Gjykatës Speciale tashmë kanë përfunduar dhe gjykata është e gatshme të nisë punën.
“Ne jo vetëm që u bëjmë thirrje deputetëve, thirrje që të kthehet në rishqyrtim dhe të mos i hapet kjo rrugë, por absolutisht ne jemi kundër një gjykate të tillë. Nuk ka diçka më degraduese dhe më fyese, jo vetëm për ata djem e vajza që me gjak, e luftën e tyre, na kanë sjellë deri këtu lirinë e kësaj pjese të atdheut, po mendoj se kjo është fyerja më e rëndë që i bëhet popullit shqiptar, jo vetëm në Kosovë, por popullit shqiptar në përgjithësi”, thota Xhavit Jashari, njëri nga udhëheqësit e veteranëve të UÇK-së.
Edhe nënkryetari i organizatës së veteranëve të luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, thotë se “padrejtësia që i është bërë Kosovës duhet të korrigjohet”.
“Dëshira jonë është që Gjykata Speciale të mos kishte ndodhur fare, dhe punën e tyre ta kryejnë gjykatat e Kosovës, mirëpo pasi që ka ardhur puna deri këtu mendoj që Gjykata Speciale që tashmë është miratuar në parlamentin e Kosovës nga legjislatura e kaluar është shkelje e të drejtave njerëzore. Kjo gjykatë i përngjan një gjykate të një kohe të fashizmit kur shpallej njëanshëm një popull fajtor”, thotë Nasim Haradinaj.
Shoqatat e veteranëve të dala nga lufta, janë të bindura se subjektet politike në parlamentin e Kosovës do ta marrin parasysh kërkesën e tyre dhe do ta votojnë ndryshimin e këtij ligji. Peticionin duhet ta nënshkruajnë 10 mijë persona në mënyrë që Parlamenti i Kosovës të jetë i obliguar ta shqyrtojë kërkesën e peticionit.
Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Gjykata Speciale për krime lufte nuk do të shqyrtojë asnjë krim të kryer ndaj shqiptarëve dhe kjo sipas tij e bën atë një gjykatë etnike, ndaj ajo shihet me mosbesim nga shqiptarët. Presidenti thotë se “vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale erdhi më shumë si nevojë politike e aktorëve ndërkombëtarë, sesa për drejtësi të mirëfilltë.
“Kosova ka pranuar themelimin e Gjykatës Speciale në rrethana imponuese diplomatike ndërkombëtare, nga ana e partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës, me arsyetimin se duhet t’i kënaqin edhe aktorët tjerë, në veçanti Rusinë dhe Beogradin, në mënyrë që kjo çështje të mos dërgohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, shprehet Presidenti Thaci, duke theksuar se ai ka pranuar që ta udhëheqë këtë proces që ta ruaj partneritetin strategjik me Shtetet e bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n.
“Nga bashkësia ndërkombëtare na u premtua se do të mund të aplikonim për anëtarësim të shpejtë në Këshillin e Evropës, që do të ndodhte liberalizimi i vizave shpejt, që do të kemi mbështetje masive për anëtarësim në UNESCO, se do t’i themelojmë Forcat e Armatosura të Kosovës shpejt dhe se do të kemi njohje të reja. Kosova mbajti fjalën, themeloi gjykatën. Bashkësia ndërkombëtare, asnjë nga këto premtime nuk i realizoi. Përkundrazi, Kosovës iu vështirësua rrugëtimi euroatlantik”, pati thënë Presidenti Thaçi gjatë një prezantimi të një raporti për perceptimin publik rreth Gjykatës Speciale.
Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, Parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën Speciale e cila ka selinë e saj në Hagë dhe ajo do të veprojë vetëm me gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë. Tashmë çdo procedurë ligjore dhe administrative ka përfunduar dhe Gjykata Speciale ligjërisht është e gatshme të nisë punën. Nga hetimet e para të hetuesit të parë amerikan Clint Williamson, bëhej e ditur nga vet Williamson se ”kjo gjykatë do të merret me të paktën 10 raste të dyshuara për krime lufte në Kosovë”./dw/
a.ç