Dinamo, një nga klubet sportive të njohura në kohën e komunizmit është thirrur “nëndetëse”, kryesisht në futboll për shkak të mënyrës “së fshehtë” të lojës për sukses.
Por vitet e fundit, ky klub, i cili ka qenë në komunizëm si pronë e Ministrisë së Brendshme, është tretur duke përjetuar më shumë krizën e sportit shqiptar, ku mungesa e investimeve dhe e tifozëve ka goditur të gjitha sportet.
Megjithatë, përfaqësues të dy brezave të ekipit të basketbollit të Dinamos, pjesë e të cilit ka qenë edhe Kryeministri Edi Rama, janë mbledhur për të rinxjerrë në sipërfaqe nëndetësen e vjetër.
Ilir Trebicka, një nga emrat më të famshëm të basketbollit të viteve 80 të shekullit të kaluar, sot një nga sipërmarrësit më të njohur vendas, ka thirrur grupin e vjetër në atë që e ka quajtur “Shoqata Dinamo Basket”.
Skerdi Muça, një emër i njohur i brezit të 80-s, sot një sipërmarrës, thotë se “kjo përpjekje synon të ngjallë dhe të ushqejë vlerat që shpërndan sporti: ndershmërinë dhe punën”
Pjesë e “yjeve” të viteve 80 të Dinamos ka qenë edhe Olsi Rama, vëllai i kryeministrit i cili sot është drejtori teknik i Partizanit në futboll.
Olsi, edhe pse me klubin rival, është kthyer në një ditë për Dinamon e vjetër, të paktën vetëm për basketbollin.
Shumë emra prezentjanë rikthyer për Dinamon: Muhamet Përmeti(Pata), Skerdi Muça, Spiro Shano, Ilir Trebicka, Eduard Çarçani, Olsi Rama, Artan Terihati, Alfred Rushaj, Astrit Hutka, Bashkim Milo, Arjan Konomi, Erdal Borova, Afrim Bilali, Elton Saliaga, Erkand Karaj, Ledina Koçi etj.
Presidenti i shoqatës së basketbollit Dinamo, Ilir Trebicka, ka shpallur rikthimin e Dinamos në qendër të mexhlisit sportive shqiptar.
Ata kanë pritur natyrisht në tubimin themelues dhe ish-shokun e skuadrës, Edi Ramën, i cili siç thonë organizatorët “ishte jashtë shtetit dhe nuk erdhi”.
“Ne nuk kemi ardhur për të fituar, por për të dhënë për Dinamon. Kështu që edhe pa muskuj nuk jemi. Kemi krijuar skuadrat tona U-10, U-12 dhe U-14, ndërsa pretendojmë që vitin e ardhshëm të jemi në aktivitetet zyrtare të Federatës Shqiptare të Basketbollit duke e nisur me meshkuj e femra nga kategoria e dytë”. Gjithsesi tashmë e rëndësishme është që Dinamo u kthye, ndërsa pretendojmë të luajmë me lojtarët tanë pa pasur nevojë për të marrë të huaj”, tha Trebicka. /TEMA