Operacioni mbarëkombëtar për pastrimin e më shumë se 9 mijë vendgrumbullime mbetjesh në gjithë Shqipërinë do të ndalojë ditën e nesërme në Berat.
Gjatë të gjithë ditës, struktura të angazhuara si dhe disa qindra vullnetarë do të pastrojnë disa prej zonave më të ndotura të qytetit. njofton Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.
Sipas planit të punës, do të pastrohet kanali i lumit tek shëtitorja Osumi, do të pastrohen inertet e mbetjet urbane tek ura e Velabishtit dhe e Goricës.
Gjithashtu, do të pastrohen rrugët dhe sheshet kryesore të qytetit, si dhe rruga kryesore për në Otllak, Sinje, Roshnik dhe Velabisht.
Përveç akseve dhe sheshe kryesore të qytetit, aksioni do të përqendrohet edhe në pastrimin e lagjes Goricë, pastrimin e lagjes 13 Shtatori, si dhe pastrimi i territorit ku banon komuniteti rom i Beratit.
Operacioni do të vazhdojë me intensitet edhe në javët në vazhdim, shkruan Ministria.
“Të pastrojmë Shqipërinë që Duam” është një fushatë 6-mujore e lançuar nga Kryeministri Rama në 24 nëntor.
Në këtë fushatë, do të bashkëpunohet ngushtësisht edhe me ushtrinë, policinë, si dhe me 150 mijë qytetarë, që do t’i bashkohen fazave të ndryshme të fushatës si vullnetarë.