Partia Demokratike ka përgënjeshtruar deklaratën e kreut të grupit parlamentar të PS lidhur me deklaratat e tij se Lulzim Basha firmosi dhënien e Kampit të Punëtorëve Sarandë në pronësi të Kelment Balilit. Edhe pse dokumentet e publikuara në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave flasin për nënshkrimin që Basha ka bërë, selia blu e ka cilësuar si fabrikim mjeran të kryeministrit Edi Rama.
Deklarata e plotë:
Partia Demokratike përgënjeshtron si plotësisht të pavërtetë deklaratën e Taulant Ballës se Lulzim Basha firmosi dhënien e Kampit të Punëtorëve Sarandë në pronësi të Kelment Balilit. Ky është një fabrikim mjeran i Edi Ramës, që po bën gjithçka për të larguar vëmendjen nga nisja e hetimeve për Saimir Tahirin.nga Prokuroria e Katanias, Itali.
Edi Rama fabrikon lajme të rreme për kreun e opozitës, sepse e di që nuk ka kryeprokuror të përkohshëm dhe të përhershëm që ta shpëtojë atë dhe Saimir Tahirin nga hetimi i Antimafias Italiane. Faktin se deklarata e Ballës është e rreme e vuri në dukje edhe Kryetari i grupit parlamentar Edmond Spaho.
Ai tha në Kuvend se “Edi Rama nuk mund ta fshehë se Balili u emërua drejtor i rëndësishëm në Sarandë nga qeveria e tij, se u fuqizua si pjesë e krimit të organizuar gjatë qeverisë së tij, se u njoh si Eskobar i Ballkanit gjatë qeverisjes së tij dhe se vazhdon të jetë i lirë, pavaresisht së ndaj Balilit ka urdhër arresti ndërkombëtar”!
ma.me