Në takimin e gjashtë të dialogut të brendshëm të Serbisë për Kosovën, të cilin e ka iniciuar kryetari i këtij shteti Aleksandar Vuçiq, kanë paraqitur mendimet e tyre përfaqësuesit e federatave dhe organizatave sportive serbe.
Ata kanë theksuar se qeveria e Serbisë ka dhënë rekomandime se si sportistët e këtij vendi duhet të sillen në rastet kur organizatorë të garave janë ndërkombëtarët e ku garojnë edhe sportistë nga Kosova ose dhe kur Kosova organizon gara ndërkombëtare, transmeton Koha.net. Drejtori i Federatës së Xhudos të Serbisë Dragan Atanasov thotë se ekziston rekomandimi që nuk është detyrues dhe se ai duhet avancuar.
Ai , siç njofton b92, ka shtuar se Serbia dëshiron të kandidojë në kampionatin e Europës për vendin pritës në xhudo në vitin 2020 dhe se, sipas tij, duhet të ekzistojnë orientime të qarta për situata të caktuara.
Ai ka përkujtuar se Federata Ndërkombëtare e Xhudos e ka pranuar Kosovën dhe se për Kosovën garojnë xhudistë që sjellin medalje. Kryetari i Federatës së Vaterpolos të Serbisë Miodrag Krivokapiq thotë se nuk duhet lejuar kurrë që sportistët të mos marrin pjesë në Lojërat Olimpike, porse nuk duhet lejuar që dikush ta njohë Kosovën. (b.an)