Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja ka reaguar pas akuzave të Lulzim Bashës se maxhoranca po zhvillon një proces antikushtetues për zgjedhjen e kryeprokurorit të përkohshëm.
Manja deklaroi se nëse palët kanë kontestime, t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, por ai garantoi se i gjithë procesi i zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm është ligjor.
Teksa seanca dëgjimore do të mbahet në 15:00, Manja garantoi kandidatët se procesi do të jetë transparent dhe i ftoi ata për të qenë të pranishëm në dëgjesë.
Kryetari i Komisionit të Ligjeve ftoi opozitën të bëhet pjesë e procesit, pavarësisht se kjo e fundit deklaroi përmes Bashës dhe Kryemadhit se do të bojkotojë seancën.
“Procesi për caktimin e prokurorit të përgjithshëm të përkohshëm është ligjor dhe kushtetues. Sot në orën 15:00 janë thirrur në seancë dëgjimorë kandidatët për kryeprokuror të përkohshëm. Garantoj kandidatët për kryeprokuror të përkohshëm për transparencë dhe paanësi në proces. Për ne si maxhorancë, nuk ka rëndësi emri. Ftoj opozitën për bashkëpunim për t’i dhënë zgjidhje dhe jo zgjedhje vakancës së kryeprokurorit. Kuvendi ka detyrim të zbatoje ligjin. Nëse palët kanë kontestime, ti drejtohen Gjykatës Kushtetuese”, tha Ulsi Manja
Prokurorët dalin rrallë në media, tha Manja, ndaj ai ftoi gazetarët që të ndjekin seancën dëgjimore.
”Ftoj edhe mediat që t’i japin zë kësaj dëgjesë publike me kandidatët për Prokuror sepse prokurorët dalin pak ose aspak në media por që shqiptarët meritojnë t’i dëgjojnë sot”, deklaroi Manja.
javanews.al/a.ç