Shtetasi Fadil Tërnova i shpëtoi sot mrekullisht një atentati në rrugën që lidh fshatin Godvi me fshatin Peladhi, në Bulqizë. Drejt mjetit me të cilin ai udhëtonte qëlluan me breshëri por Tërnovën nuk e preku asnjë plumb.
Ky shtetas rezulton me precedentë të theksuar penalë ndërsa forcat e Komisariatit të Policisë së Bulqizës i kanë arrestuar gjatë një operacioni për armëmbajtje pa leje në 12 maj 2016 nënën dhe vëllanë, Sarie Ternova 58 vjeçe e Luan Ternova 40 vjeç.
Gjatë operacionit policor të koduar “Gjeologu”, policia ka marrë informacione në rrugë operative se në një automjet tip Benz që lëvizte në lagjen Gjeologu të qytetit Bulqizë kishte armë zjarri.
Menjëherë pas marrjes së informacionit është bërë bllokimi i automjetit “Benz” me targa AA 211 HM.
Nga kontrolli i ushtruar nga Policia në automjetin në përdorim të 40 vjeçarit Luan Ternova, u gjet dhe u sekuestrua brenda një çante dore që ndodhej në makinë, një armë zjarri Pistoletë TT model 54 si dhe nje krehër me 8 fishekë.
Në momentin që Policia do ushtronte kontroll, çantën e ka marrë në dorë shtetësja Sarie Ternova, 58 vjeçe me qëllim shmangien e kontrollit. Personat e lartpërmendur (nënë e bir) Luan Ternova dhe Sarie Ternova u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje e armeve luftarake” kryer ne bashkëpunim.
Luan Ternova ka qenë i dënuar më parë për Vjedhje banesash në shtetin Francez dhe atëherë kishte vetëm një muaj që kishte dalë nga burgu dhe ishte deportuar në Shqipëri nga Franca.
Ndërkohë, në 2015 nga Policia e Bulqizës është arrestuar edhe vëllai i Luan Ternovës, Fadil Ternova ( i njohur si i forti i Bulqizës) për armbajtie pa leje./a.m.